Pasditen e sotme janë luajtur ndeshjet e javës së 16-të të kategorisë së dytë. Kjo javë ka dhuruar në fakt një lajm jo të mirë.

Ka ndodhur ajo që nuk pritej për ekipin e Veleçikut të Koplikut. Ai është ndalur në ndeshjen e luajtur sot në transfertë nga ekipi i Klosit.

Ky i fundit ka fituar me rezultatin 3-2. Një rezultat që ka prishur jo pak planet e koplikasve sepse rivali i tyre- Vora, ka fituar 2-0 me Partizanin B.

Për rrjedhojë tashmë diferenca në mes dy ekipeve ka shkuar në gjashtë pikë dhe do të jetë e vështirë për t’u rikuperuar.

Në takimin ndaj ekipit të Klosit, Veleçiku ka kaluar dy herë në avantazh por nuk ka mundur ta ruajë dot atë. Ka qenë fillimisht Arsen Banushaj që ka shënuar në ’36 dhe pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 1-0 për koplikasit.

Në fillimin e së dytës, Kadiu ka barazuar shifrat por Semir Gokaj ka shënuar golin e dytë për Veleçikun në ’66.

Por minutat 74 dhe 75 kanë qenë fatale për të. Klosi ka shënuar dy gola njëri pas tjetrit me anë të Farrukut dhe kësisoj ai ka fituar me shifrat 3-2.

Tashmë ka mbetur për t’u parë se si do të jetë rrjedha e ngjarjeve në javët e mbetura por do jetë shumë e vështirë që Veleçiku të rikuperojë diferencën e gjashtë pikëve që ka me Vorën kryesuese.
© shkodrasport.com