HomeKRYESOREVllaznia nesër një sfidë shumë 'delikate' ndaj Partizanit

Vllaznia nesër një sfidë shumë ‘delikate’ ndaj Partizanit

Pas një jave pushim për shkak të kalendarit, Vllaznia e volejbollit të femrave do të rikthehet sërish në parket për të luajtur ndeshjen e rradhës të vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Pasditen e së shtunës, pikërisht në orën 16:00 ne pallatin e sportit “Qazim Dervishi” vajzat shkodrane do të ndeshen me ekipin e Partizanit.

Kjo është ndeshja e tretë për ekipin kuqeblu teksa e kanë fituar të parin 3-0 ndaj Mirditës dhe më pas kanë humbur po 3-0 në Korçë ndaj Skënderbeut. Sfida e nesërme ndaj Partizanit është shumë vendimtare për të siguruar një nga dy vendet e para në grup, për të kaluar më pas në gjysmëfinale të këtij kompeticioni.

Trajneri Dorian Tafa në çdo deklaratë të tij e ka bërë të qartë se ekipi do të jetë kompetitiv në çdo kompeticion ku do të marrë pjesë dhe për këtë arsye edhe në Kupë do të synojë pse jo edhe fitoren e saj. Vajzat janë shumë të motivuara për të bërë mirë dhe kuptohet që do të japin më të mirën e tyre në fushë ndaj Partizanit sepse duhet me çdo kusht fitorja ndaj këtij kundërshtari.

Eksperienca e disa prej lojtareve që janë pjesë e Vllaznisë, po gërshetohet gjithnjë e më mirë me vajzat e reja dhe për këtë arsye, nga ndeshja në ndeshje pritet një performancë edhe më e mirë e ekipit.

Presidenti Florian Zekja ka sjellë shumë risi tek Vllaznia e volejbollit të femrave sivjet që pas krijimit të shoqatës dhe kuptohet që synimet e tij janë për të ndërtuar një skuadër të fortë por pa hequr dorë asnjëherë nga e ardhmja e volejbollit shkodran.

Pavarësisht këtyre ideve, fokusi i momentit është i përqendruar tek ndeshjet e Kupës së Shqipërisë dhe konkretisht tek sfida e rradhës me Partizanin e cila duhet fituar me çdo kusht./SHKODRA-SPORT.COM/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments