Vllaznia ka lënë Shkodrën paraditen e sotme dhe ka marrë rrugën drejt Ulqinit, ku do të qëndrojë deri të premten, për t’u përgatitur për ndeshjen e sezonit, atë me Tiranën. Vendimi është marrë nga drejtuesit e klubit, për t’i larguar sportistët dhe stafin teknik nga ambienti sportiv shkodran dhe diskutimet e shumta në lidhje me këtë takim. Ajo që ka rënë në sy në këtë udhëtim drejt tokës malazeze ka qenë mungesa e disa prej titullarëve. Pezullimet me kartona dhe dëmtimet e shumta të lojtarëve kanë bërë që trajneri Cungu të ketë të gatshëm vetëm 16 futbollistë të ekipit të parë.
Kjo ka detyruar stafin që të hedhë sytë nga ekipi i dytë dhe, për këtë arsye, prej tij janë marrë dy futbollistë, mbrojtësi Samet Ruqi dhe mesfushori Suad Bega.Ata do të jenë në dispozicion të trajnerëve për të plotësuar edhe 18-shen për këtë ndeshje. Ajo çfarë ka rënë në sy në këtë udhëtim drejt Ulqinit ka qenë mungesa e Elis Bakajt me ekipin, çka konfirmon faktin se ky lojtar nuk do të jetë pjesë e Vllaznisë për këtë ndeshje. Fakti që do të përballet me Tiranën ka bërë që ai t’u kërkojë drejtuesve të mos luajë, sepse nuk mund të japë më të mirën në fushën e lojës. Krerët e klubit shkodran e kanë mirëkuptuar për këtë gjë. Me ekipin ka udhëtuar edhe drejtori sportiv, Eugent Zeka, i cili do t’u qëndrojë pranë futbollistëve dhe stafit në këto ditë përgatitje të kësaj ndeshjeje, që jo më kot konsiderohet si sfida më e vështirë e sezonit.
© shkodrasport.com