
Ekipi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj ka arritur një tjetër fitore me mbi 100 pikë të shënuara. Ka ndodhur kështu pasditen e sotme teksa shkodranët kanë fituar me rezultatin 112- 50 ndaj Apolonisë. Ndeshja është luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit dhe është dominuar nga fillimi e deri në fund nga djemtë e trajnerit Gjeçaj. Kësisoj me fitoren e sotme, ato i kanë forcuar edhe më shumë pozitat në krye të renditjes teksa kanë arritur fitoren e 12-të në po kaq ndeshje të luajtura. Një ecuri e tillë është vërtetë për t’u patur zili teksa vendi i parë deri në fazën e play- ofit duket i sigurtë. Në gjysmëfinale shkodranët pritet që të luajnë pikërisht ndaj kundërshtarit me të cilin luajtën sot, Apolonisë së Fierit. Kjo do të thotë se shanset janë të mëdha për të mos patur nevojë për ndeshje të tretë në ballafaqimin me to dhe kalimin direkt në ndeshjet finale ndaj Kamza Basket apo Tiranës, kundërshtarit të mundshëm në turin e fundit me të cilin do të diskutohet fitimi i titullit kampion.
© shkodrasport.com