Vllaznia është mundur 2-1 nga Kukësi Brenda në “Loro Boriçi” në ndeshjen e javës së 16-të të kampionatit. Golat e Rrocës në pjesën e parë dhe Shkurtajt në të dytën, I kanë mjaftuar miqve të marrin një trepikësh me shumë vlerë dhe ndonëse Krymi ngushtoi shifrat, kjo nuk I ka mjaftuar vendasve për të marrë të paktën një barazim.

Vllaznia e nis mirë ndeshjen dhe në minutat e para krijon dy momente të rrezikshme në portën mike me anë të Shtubinës dhe Krujës por ndërkohë në minutën e 9-të në të parin aksion, kukësianët shënojnë. Rroca I ikën mbulimit të mbrojtjes kuqeblu, shmang edhe portierin Sherri dhe e dërgon topin në rrjetë.

Një gol disi I papritur për Vllazninë që mundohet të reagojë dhe në një moment, me Shtubinën është pranë golit të barazimit. Megjithatë pas minutës së 30-të është Kukësi që me anë të Abazajt dhe Gavazajt ka mundësi të shënojë edhe të dytin. Në minutat e fundit të kësaj pjese, vendasit ushtrojnë presion por nuk arrijnë të jenë të qartë para portës.

45 minutësh I parë mbyllet me fitoren 1-0 të miqve. Në fillimin e së dytës, ata shënojnë edhe golin e dytë me anë të Shkurtajt që mori një pas të shkëlqyer nga Rroca dhe para porte nuk fal.Me dy gola avantazh duket se gjithçka është mbyllur por Vllaznia nuk heq dorë dhe në minutën e 74-të Krymi do të shënonte duke rihapur lojën dhe deri në fund do të tentonte edhe golin e barazimit ndonëse I bie fuqia sulmuese.

Në minutat e fundit Kukësi u tërhoq tërësisht megjithatë Vllaznia nuk arriti dot të barazonte. Përfundimisht 2-1 për miqtë që vazhdojnë të kryesojnë të vetëm renditjen e kampionatit.