Vllaznia do të kërkojë të bëjë kthesën në ndeshjen e saj të rradhës. Atë që do të luajë ditën e diele në Fier ndaj Apolonisë vendase. Ky takim është vendosur të luhet pikërisht këtë ditë, në orën 14.00 nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Futbollistët kuqeblu kanë premtuar kthesën duke premtuar fitoren në këtë ndeshje, për të lënë kësisoj mënjanë zhgënjimin që dhuruan me lojën shumë të dobët të ndeshjes së kaluar në Gjirokastër ku humbën ndaj Luftëtarit me rezultatin 2-1. Gjatë kësaj jave trajneri Artan Bushati është mundur t’i mbajë të karikuar futbollistët duke u kujtuar atyre për përgjegjësinë që kanë mbi shpinë.


Humbja ndaj Luftëtarit vërtetë u ka prishur disi planet drejtuesve shkodrane megjithatë ata mendojnë se me një fitore në Fier ata do të kthehen sërish brenda objektivave të tyre për të qenë në Kupat e Europës në fund të sezonit. Për këtë ndeshje, vetëm Smajli është në dyshim sepse ka një hematomë në këmbën e tij të djathtë dhe për rrjedhojë nuk është aktivizuar në ndeshjen e kontrollit të ditës së enjte. Të tjerët janë të gjithë të gatshëm dhe trajneri Bushati, në krahasim me ndeshjen e Gjirokastrës, ka ndër mend të bëjë dy ndryshime në formacion. Kështu në vend të Nallbanit në mesfushë, do jetë këtë herë nga minuta e parë kapiteni Elvin Beqiri ndërsa në sulm në vend të Gjinit do të luajë kosovari Rexha. Të tjerët do jenë po ato që kanë luajtur edhe në tre ndeshjet e para. Ballafaqimi i Fierit konsiderohet shumë i rëndësishëm për Vllazninë pavarësisht se luhet ndaj skuadrës së vendit të fundit. Megjithatë, Apolonia nuk ka se çfarë të humbasë dhe ashtu si në ndeshjet e kaluara, pritet të luajë për rezultat pozitiv edhe këtë herë.

 

www.shkodrasport.com