Ish- sulmuesi i Vllaznisë Kevin Dodaj nuk po gjen hapësirat e duhura tek CSKA e Sofjes dhe si rrjedhojë drejtuesit e klubit janë duke menduar për një huazim të mundshëm të tij gjatë merkatos së janarit tek një skuadër ku mund të kishte më shumë hapësira aktivizimi.
Dhe në fakt Partizani shfaqi menjëherë interes për të, por kalimi i sulmuesit 20 vjeçar tek të kuqtë nuk mund të realizohet. Rregulli i FIFA-s e lejon një lojtar që të regjistrohet te tre klube në një sezon, por të aktivizohet në dy prej tyre.
Dodaj luajti ndeshje zyrtare me Vllazninë në Europë dhe më pas te CSKA. Kështu edhe pse do mund të regjistrohej si i huazuar te ndonjë klub tjetër me përjashtim të Vllaznisë, sërish nuk do kishte mundësinë që të luante.
Ende nuk ka asnjë sinjal nëse në Shkodër janë të interesuar për të apo nëse CSKA do ta lejonte të rikthehej tek skuadra e tij e mëparshme, por opsioni i vetëm ky është ose të qëndrojë në Sofjë deri në fund të sezonit, por pa luajtur aq sa duhet. Ditët e ardhshme mund të ketë më shumë zhvillime në lidhje me këtë gjë.


