Trajnerët Josa dhe Kolela kanë hedhur në fushë më të mirët për të marrë një fitore shumë të rëndësishme. Bie në sy se në rreshtimin e Vllaznisë, trajneri Josa ka lënë jashtë Bekim Balajn, ndërsa te Partizani, kthehet nga minuta e parë Alban Hoxha.

Rreth 20 minuta para fillimit të ndeshjes, një furtunë e vërtetë shiu ka shpërthyer mbi stadiumin “Loro Boriçi” duke bërë që shkallët të mbeten të boshatisura e të rëndohet tereni i lojës.

LIVE VLLAZNIA-PARTIZANI 3-1

11′, 51′ Kaina, 33′ Çoba/ 44′ Matondo

NGJARJET KRYESORE

51’ GOOOL VLLAZNIA! Pas një aksioni nga e majta, topi shkon në qendër te Kaina i cili me shpejtësi kontrollon sferën dhe kalon Hoxhën.

49’ Protesta të shkodranëve për një rrëzim në zonë të Malës pas kontaktit me Maget, Cjapi bën shenjë që loja të vazhdojë.

47’ Predhë e Matondo nga më shumë se 30 metra, këtë herë sfera kalon mbi traversën e Qarrit.

46’ Nis pjesa e dytë pa zëvendësime te të dy ekipet.

45’+1′ Mbyllet pjesa e parë!

45′ Akordohet 1 minutë shtesë.

44′ GOOOL PARTIZANI 2-1! Matondo gjuan nga distanca dhe shkund rrjetën e Qarrit me një supergol.

36’ Partizani duket i tronditur nga këto goditje të njëpasnjëshme dhe shkodranët po shtyjnë për të shënuar përsëri e mbyllur diskutimin e kualifikimit sa më parë që të jetë e mundur.

33’ GOOOL VLLAZNIA! Çoba dyfishon shifrat pas një aksioni të shkëlqyer nga krahu i djathtë i Malës.

30’ Da Silva pason për Maget i cili gjuan në hyrje të zonës, por sfera devijohet nga Mensah dhe përfundon jashtë katërkëndorit.

28’ Gurishta merr topin në pozicion ballor dhe gjuan me kthesë të shpejtë nga jashtë zonës, me një devijim që largon sferën nga katërkëndori i Hoxhës.

27’ Hadroj shkakton dy faulle radhazi ndaj Çobës dhe në rastin e dytë ndëshkohet me të verdhë nga kryesori Cjapi.

24’ Da Silva hyn në zonë nga e majta dhe rrëzohet pas një kontakti, por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

22’ Kontrollin e topit e ka Partizani në këto minuta, me Vllazninë e cila është disi në pritje në gjysmëfushën e saj për të kundërsulmuar rrezikshëm.

16’ Da Silva provon në zonë nga e djathta me një diagonale, Bulatoviç me ndërhyrjen e tij çon sferën në këndore.

11’ GOOOL VLLAZNIA! Shkodranët gjejnë avantazhin në mënyrë të papritur me Kaina. Pas një topi në qendër nga e majta, Hoxha kap topin por i rrëshqet nga duart dhe Kaina përfiton duke e çuar në rrjetë. Protesta të kryeqytetasve por gjyqtari, pasi merr konfirmimin edhe nga VAR, bën shenjë nga qendra.

7’ Maget nga ana tjetër tenton edhe ai me një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës, sfera fluturon mbi traversë.

6’ Çoba hyn në zonë nga e majta, një ndërhyrje vendimtare e Hadrojt i heq atij topin nga këmbët në momentin e fundit.

4’ Gjuajtje e fortë e Malës nga jashtë zonës, Alban Hoxha pret në pozicion.

1’ Nis dueli në “Loro Boriçi”.