Vllaznia bëri lëvizjen e parë në merkato, por nuk do të jetë assesi e fundit. Klubi po negocion për të bindur Realdo Filin dhe Rubin Hebajn, emra që kërkohen prej vetë trajnerit.

Por me fierakun dhe shkodranin, duket s’e nuk kanë asgjë në vijë. I pari nuk ka marrë letrat nga Luftëtari dhe më shumë po joshet prej Laçit, ndërsa i dyti preferon që të luajë jashtë Shqipërisë dhe vetëm nëse nuk gjen diçka që ia vlen, mund të marrë në konsideratë ofertën e ekipit “mëmë”.

Gjithsesi, drejtuesit janë duke i marrë që të gjitha masat për të mos mbetur “peng” të emrave të mësipërm. Ata e kanë përqendruar vëmendjen te tregu fqinj, aty ky Mirsad Jonuz ka edhe njohje më të mëdha. Duket se kriter i panegociueshëm i trajnerit për këtë merkato është që t’i ketë parë më parë futbollistët.

Dhe kjo kuptohet qartazi te largimet e konfirmuara dhe ato të pritshme, të cilat nuk kanë qenë zgjedhje e vetë maqedonasit. Sikundër është bërë e ditur, është shpallur “divorci” me Emerson dhe Uenderson.

Por, brazilianët nuk do të jenë të vetmit në listën e daljeve. Në ikje është edhe Kojokaru dhe Ristevski. Moldavi nuk është kthyer në Shkodër, ndërsa i dyti po. Ai ka ardhur për të marrë pagat e prapambetura dhe mbyllur një herë e mirë këtë aventurë.

Të vetmit që e kanë vendin të sigurt në ekip janë Hygor dhe Godfrej. Ata nuk i janë bashkuar ende Vllaznisë, por vetë trajneri e sqaroi se do të kthehen shumë shpejt në Shqipëri.