Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia po marshon me ritëm kampioni dhe tashmë ka vënë në shënjestër fitoren e 10-të radhazi mes kampionatit dhe Kupës. Kuqeblutë udhëtojnë në transfertë përballë Bylis në javën e 25-të të kampionatit, me objektivin e qartë për të vijuar serinë pozitive dhe për të forcuar pozitat në garën për titull. Forma aktuale e shkodranëve i ka kthyer ata në skuadrën më në formë të momentit, duke reflektuar qartë ambicien dhe stabilitetin që ka krijuar grupi.
Viti 2026 ka shënuar një kthesë domethënëse për Vllazninë, që ka thyer një “tabu” të vjetër: fitoret jashtë Shkodrës. Suksesi 0-2 ndaj Dinamos dhe 0-1 përballë Teutës në Durrës janë prova të qarta të pjekurisë së skuadrës në transfertë. Këtyre u shtohet edhe triumfi 1-0 ndaj Vorës, sfidë ku Vllaznia konsiderohej pritëse paveësisht se ndeshja u luajt në fushën kundërshtare. Si dhe suksesi 0-1 pikërisht ndaj Bylisit në çerekfinalen e parë të Kupës, një tjetër tregues force dhe qëndrueshmërie.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Edi Martini ka ndërtuar një identitet të qartë loje, të bazuar te disiplina taktike dhe efikasiteti maksimal. Shkodranët kanë treguar se dinë të menaxhojnë presionin, të fitojnë me rezultate minimaliste kur duhet, por edhe të godasin me autoritet në momentet kyçe. Pikërisht kjo qasje pragmatike i ka kthyer në një makineri rezultatesh, duke i mbajtur të pathyeshëm në javët e fundit.
Përballja e radhës ndaj Bylisit shihet si një tjetër provë karakteri në rrugën drejt objektivit madhor. Fitorja e 10-të radhazi do të ishte jo vetëm një rekord domethënës sezonal, por edhe një mesazh i qartë për rivalët se Vllaznia nuk ka ndërmend të ndalet. Në këtë fazë vendimtare të sezonit, çdo ndeshje është një finale më vete, dhe kuqeblutë synojnë ta kalojnë me sukses edhe këtë pengesë për të vijuar marshimin drejt titullit kampion.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


