Edicioni i Kategorisë Superiore ka nxjerrë deri tani një skuadër në plan të parë, Vllazninë. Një ekip i cili argëton me lojën që bën dhe që e ka kombinuar këtë futboll me rezultate që e mbajën të parin në renditjen e Superiores pas 7 javëve të para.
16 pikë në 7 ndeshje me 13 gola të shënuar, është një bilanc mëse i mirë i kuqebluve, të cilët si rrallëherë në dekadën e fundit e shohin veten me një start të tillë në kampionat. Një start që i rendit ata si pretendentë për titullin kampion, edhe pse vetë shkodranët mundohen të largojnë trysninë prej tyre duke deklaruar se nuk e kanë për momentin një objektiv të tillë.
Por shifrat flasin qartë dhe Vllaznia aktuale ka pikë po aq sa Teuta (9) dhe Laçi (7) bashkë, dy skuadra të cilët kanë investuar shumë dhe e kanë nisur edicionin me pretendime të qarta për titullin kampion në Superiore.
Shkodranët kanë shënuar më shumë gola se të dy këto ekipe bashkë, ndaj duket se kanë edhe një armë më shumë se sa kurbinasit (9 gola) e durrsakët (3), edhe pse do të humbin Dunga për disa javë për shkak të pasaportës.
Ndaj në ndeshjen kundër Partizanit të kësaj fundjave, ndryshe nga vitet e fundit, do të jetë Vllaznia që do të hyjë në fushë me petkun e pretendentes ndaj kryeqytetasve, për të cilët titulli për momentin shihet si objektiv që vështirë se mund të realizohet me një merkato të bllokuar nga FIFA. /vipsport/