Vllaznia vijon përgatitjet pavarësisht se kampionati do jetë pushim deri në fundjavën tjetër. Gjithsesi kuqeblutë kanë nisur që dje stërvitjen, ku pas 3 ditësh pushim janë rikthyer në fushën e blertë.
Skuadra e drejtuar nga Thomas Brdaric tashmë po plotëson gjithë organikën e saj me rikthimet e disa futbollistëve nga dëmtimet.
Mbrojtësi malazez i afruar në merkaton e verës, Darko Bulatovic po merr ngarkesën e duhur fizike tashmë. Dëmtimi që e la jashtë skuadrës që në fillim të sezonit tashmë në javët që vjen do jetë i gatshëm për tu aktivizuar. Bulatovic mund të aktivizohet në krahun e majtë të mbrojtjes, por edhe si qendër mbrojtës.
Po ashtu sulmuesi brazilian Kaina do jetë një alternativë në rikthimin e kampionatit. Shtatlarti u “zhduk” që në ndeshjen e parë të kampionatit me Laçin ku edhe shënoi, por dëmtimi e penalizoi. Tashmë edhe Aralica duket se do ketë konkurrentin e duhur për një vend titullari.
Rikthimet e disa futbollistëve do shtojnë edhe rivalitetin për një vend në 11-tshen titullare. Skuadra e Vllaznisë po plotësohet totalisht në të gjitha repartet, një gjë që gëzon të gjithë.
Gjithashtu kuqeblutë gjatë kësaj periudhe po bëjnë edhe një rekuperim të gjendjes fizike që disi ka çaluar në këto javë.
Endri ÇINARI