Vllaznia po shpenzon shumë për rrogën e tij, por ai pak është parë në fushën e lojës… Fjala është për fantazistin shqiptaro-malazez nga Tuzi, Kristijan Vulaj.

Drejtuesit e morën Vulajn nga Deçiç me tepër bujë në merkaton e verës. Gjithsesi, ai nuk ka mundur që deri më tani të shpërblejë investimin që klubi po bën për të. Për një gjë të tillë, mosaktivizimi nga trajneri Mirel Josa është shkaku kryesor.

Vulaj, që kur ka ardhur, ka vuajtur disi problemet fizike dhe ajo kuptohet lehtësisht, por edhe në rastet kur është aktivizuar, nuk është parë të ketë besimin e duhur nga trajneri Josa.

Tashmë, në pjesën e dytë të sezonit, shqiptaro-malazezi duhet të tregojë me patjetër veten e tij, gjithmonë në rast qëndrimi te Vllaznia dhe në rast aktivizimi nga trajneri Josa.

Kristijan Vulaj erdhi për të formuar një treshe të frikshme si fantazist me Malën dhe Latifin nga krahët, por kjo nuk ndodhi. Megjithatë, çdo gjë mbetet për t’u parë në vazhdim se çfarë do të bëjë Kristijan Vulaj me fanellën e Vllaznisë, nëse do të aktivizohet apo jo.
Maringlen ZHIVANI