HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVllaznia pranë akordit me ish-sulmuesin e Partizanit, shkodranët gati të përforcojnë repartin...

Vllaznia pranë akordit me ish-sulmuesin e Partizanit, shkodranët gati të përforcojnë repartin ofensiv

Rubin Hebaj mund të jetë goditja e parë e Vllaznisë në merkaton e janarit. Prej disa ditësh sulmuesi shkodran ka mbyllur llogaritë në Ukrainë me klubin e Vorskla Polltava, ku ishte në pjesën e parë të sezonit aktual.

Hebaj luajti vetëm 5 ndeshje në Superligën ukrainase dhe duke qenë se kjo aventurë nuk shkoi mirë, lojtari gjeti marrëveshjen për prishjen e kontratës.

“Panorama Sport” mëson se menjëherë pas largimit nga Ukraina dhe faktit që Hebaj është tashmë një lojtar i lirë, drejtuesit e Vllaznisë kanë nisur bisedimet për të pasur shërbimet e lojtarit për pjesën e mbetur të sezonit.

Burime në klub bëjnë me dije se palët janë afër akordit, për më tepër që sulmuesi vjen në një ambient që e njeh mirë dhe klubit i intereson shumë në këtë moment që ta ketë pjesë të skuadrës.

Dy lojtarët brazilianë, Uenderson dhe Emerson, të ardhur me bujë në verë, nuk i kanë përmbushur pritshmëritë, prandaj dhe Vllaznia është e interesuar të rikthejë Hebajn.

Në fakt, që në verë administratori Suad Lici u fut në bisedime me sulmuesin, por nuk u gjet një akord. Tashmë pritet të shihet nëse do të arrihet marrëveshja. Hebaj është një lojtar i formuar në radhët e shkodranëve dhe nuk do ta kishte aspak të vështirë përshtatjen.

Ardhja e tij do të ishte një zgjidhje e mirë për ekipin kuqeblu, i cili vazhdon që të vuajë për një sulmues qendre. Ardhjet e disa lojtarëve në merkato për sulmin nuk kanë rezultuar të suksesshme në pjesën e parë të sezonit.

Shkodranët kanë pasur vështirësi në finalizimin e aksioneve edhe në momentet kur kanë zhvilluar ndeshje të mira, duke u penalizuar nga konkretizimi i rasteve. Vllaznia me një sulmues si Hebaj do ta kishte më të lehtë punën, duke qenë se deri më tani është dashur që të shënojnë mesfushorët apo mbrojtësit.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments