Skuadra e Adës së Velipojës rrezikon të mos marrë pjesë në kampionatin e ardhshëm të kategorisë së parë. Ajo është në prag të shpalljes së falimentimit të saj. Lajmi bëhet I ditur nga burime pranë këtij klubi të cilat thonë se ende nuk ka asnjë përpjekje për ta shpëtuar këtë gjë. Kemi hyrë në muajin gusht dhe kur pritet hedhja e shortit të kampionatit, klubi Ada pritet të njoftojë FSHF-në për tërheqjen e saj nga kampionati. Arsyeja është pamundësia financiare por edhe mosliçensimi I fushës e gjëra të tjera. Më shumë sesa këto arsye, duket se janë edhe disa mosmarrëveshjes në mes dyshes së presidentëve Lazër Matija dhe Alfred Pjetri me drejtuesit e Komunës Velipojës. Mes palëve ka patur një akord që prej fillimit të sezonit të kaluar sesi do të ndahej përqindja e investimeve për skuadrën e djemve (pasi ajo e femrave që është kampione e Shqipërisë është financuar tërësisht nga presidenti Matija). Ky akord nuk është mbajtur deri në fund. Komuna Velipojë nuk ka shlyer detyrimet e saj dhe kjo ka bërë që të krijohet një situatë aspak e këndshme këto ditë. Dy presidentët të lodhur nga investimi 17 vjeçar (e kanë themeluar vetë Adën në vitin 1996), nuk mund të vazhdojnë më sepse Ada nuk u përket vetëm atyre por një komuniteti të tërë në Velipojë dhe për të duhet të mbajë përgjegjësitë e duhura edhe institucioni I pushtetit lokal. Por kjo e fundit nuk ka ndodhur. FSHF ka kohë që e sinjalizon këtë klub se për t’I luajtur ndeshjet në fushën sportive “Adriatik”, duhet që të plotësojnë disa kushte që kanë të bëjnë me rregullimin e dhomave të zhveshjes etj. Por në fakt, në këtë fushë nuk është bërë asnjë ndërhyrje dhe prandaj edhe nëse Ada do marrë pjesë në kampionat, ajo nuk do t’ I zhvillojë ndeshjet në fushën e saj. Megjithatë vështirë të shkohet aq larg. Drejtuesit e klubit me shumë të ngjarë do njoftojmë Federatën se Ada ka shpallur falimentin dhe për rrjedhojë do të tërhiqet nga kampionati dhe ajo mund të mos jetë fare në shortin që do hidhet këto ditë. Kjo ngaqë skuadra nuk ka trajner, nuk ka asnjë futbollist, nuk ka financa dhe kështu është e vështirë të vazhdohet. Edhe sekretari I klubit Marash Qytetza duket I lodhur dhe I pafuqishëm për të rregulluar këtë situatë dhe prandaj po mendon dorëheqjen që mund ta japë zyrtarisht në ditët në vazhdim.  Ka një shpresë se ditën e hënë, kryekomunari Pashko Ujka mund t’ I japë një zgjidhje kësaj çështje. Nëse nuk bëhet gjë edhe këtë ditë atëherë Ada nuk do jetë pjesmarrëse në kategorinë e parë të futbollit shqiptar për sezonin 2013-14.
Gjergj KOLA