Lajme të mira për Vllazninë. Pas njëfarë iluzioni për “firo” tek kjo skuadër pas largimit të portierit Gjokoviç e thuajse edhe të sulmuesit Rexha, dita e djeshme ka sjellë lajme positive për merkaton kuqeblu. Miroslav Vujadinoviç por edhe Dritan Smajli mund t’ I bashkohen kësaj skuadre në ditët e ardhshme. Kjo bëhet e ditur nga burime pranë klubit shkodran nisur nga kontaktet e bëra ditën e djeshme me dy futbollistët e mësipërm. Nëse ata të dy do vijnë, skuadra do kompletohet jo pak megjithatë jo krejt plotësisht.


Dritan Smajli
I pari që mund të rikthehet tek Vllaznia është mbrojtësi Dritan Smajli. Ai në fakt ishte I pari që u largua nga kjo skuadër ende pa u mbyllur mirë muaji maj I këtij viti dhe mund të jetë I pari që do kthehet sërish. Kjo pikërisht pas ndodhive më të fundit tek ekipi I Flamurtarit, me të cilin mbrojtësi lezhjan kishte rënë dakord që të luante në dy sezonet e ardhshme. Kthimin tek Vllaznia ai e konsideron “kthim në shtëpi”. Lajmin e ka bërë të ditur për “Gazeta e Sportit” vetë Smajli teksa në një prononcim të shkurtër për të ka thënë: “Kurrsesi nuk e mendoja se gjërat do shkonin kështu. Por përderisa drejtuesit e Flamurtarit na lanë të lirë duke na thënë të largohemi se nuk kemi para për t’iu paguar, sigurisht që do shohim edhe ne mundësitë tona për të vazhduar karrierën diku tjetër. Dhe opsioni I parë dhe kryesori për mua, sigurisht që është një rikthim sërish tek Vllaznia. Unë kam patur një bisedë telefonike me drejtorin sportiv Grima ndërkohë që nesër (sot) do jem në Shkodër për të biseduar shtruar me të për mundësinë e kthimit sërish tek kjo skuadër. E kam të qartë se nuk ka zgjedhje më të mirë sesa të kthehem sërish në shtëpi”. Deklaratë interesante aq më tepër kur e dëgjon nga goja e tij fjalën “kthim në shtëpi”. Dritan Smajli ndonëse është lindur dhe rritur në Lezhë, origjinë e ka nga MbiShkodra.  Ndërkohë 5 vitet e kaluara tek Vllaznia, e kanë bërë atë të ndjehet plotësisht si shkodran madje ka filluar të mendojë edhe vazhdimin e jetës në këtë qytet bashkë me familjen e tij. Megjithatë rikthimi sërish tek Vllaznia e ka një “pengesë”. Pikërisht anën financiare. Smajli e ka të qartë moment që po kalon ky klub dhe përgjigja e tij është e sinqertë: “Me Vllazninë nuk kam bërë asnjëherë pazar dhe mendoj se edhe këtë herë do gjejmë gjuhën e përbashkët me drejtuesit e saj për t’u veshur përsëri kuqeblu”.
“Supermarketi” Flamurtari
Smajli mund të mos jetë lojtari I vetëm që mund të përfundojë tek Vllaznia nga ekipi aktual I Flamurtarit. Rrëmuja e fundit që po e shoqëron këtë skuadër, është një mundësi e mirë për të gjitha skuadrat e tjera për të kapur ndonjë lojtar cilësor. Edhe shkodranët nuk bëjnë përjashtim në këtë rast të krijuar megjithatë ato po studiojnë të gjitha mundësitë financiare që kanë. Nëse gjendet ndonjë donator apo ndonjë burim tjetër financimi, sigurisht që do ndërhyhet për të marrë edhe ndonjë futbollist tjetër nga Flamurtari. Emrat mund të jenë disa në fakt duke filluar nga Rajoviç, Dushku, Dragoi, Ribaj e ndonjë tjetër. Megjithatë nuk do të jetë e lehtë për të arritur tek ato sepse pikësëpari duhen siguruar financat e nevojshme për marrjen e këtyre lojtarëve pastaj. Gjërat janë të qarta tashmë. Vllaznia Brenda pak orësh mund të shndërrohet nga një skuadër e dorës së dytë, në një skuadër pretendente. Mjafton të marrë 3-4 futbollistë cilësorë.
Gjergj KOLA