Nga një skuadër me shumë dyshime, Vllaznia Brenda vetëm pak orësh mund të kthehet në një skuadër pretedente për trofe në sezonin e ardhshëm. Mjafton që ajo të bëjë 3-4 blerje cilësore në “supermarketin” Flamurtari të hapur së fundi, apo dhe në ndonjë drejtim tjetër dhe gjithçka do fliste ndryshe. Megjithatë realizimi I këtyre 3-4 blerjeve ka koston e vetë. Atë që nuk është planifikuar nga drejtuesit aktualë të klubit shkodran të cilët për momentin nuk I kanë këto mundësi financiare. Gjithsesi mund të realizohet. Këtë gjë e ka në dorë kryebashkiaku Lorenc Luka, njëkohësisht edhe president I klubit. Mjafton që ai të japë “Ok”-in për këto blerje dhe gjithçka mund të mbyllet në vetëm pak orë. Ndryshimi I situatës mund të shtojë edhe interesimin e tifozërisë kuqeblu sepse në fakt edhe shorti I kampionatit është disi I favorshëm nëse niset mirë ai. Dimër 2011
Duket se është e njëjta situatë si në dhjetorin e vitit 2011. Atëherë kur Vllaznia drejtohej nga Rudi Vata dhe papritmas në skenë doli “shpërbërja” e ekipit të Tiranës. Problemet financiare që kishte ajo bënë që disa prej titullarëve të kërkojnë skuadra të tjera. Për rrjedhojë treshja Gilman Lika- Erjon Dushku- Bekim Balaj, mbërriti në Shkodër. Biseduan me drejtuesit e lartë të klubit kuqeblu dhe në fund kryebashkiaku Luka dha OK-in për marrjen e tyre. Madje duke firmosur kontrata shumë të majme financiare. Ka qenë një sforco e tij, ndoshta shumë e madhe sepse bëhej fjalë për rreth 200 mijë euro që duheshin paguar për kontratat 18 mujore me këto tre sportistë. Por tha “po”. U ra dakord, u shkëmbyen urimet përkatëse dhe pritej që të nesërmen të firmoseshin kontratat dhe më pas të bëhej edhe kërkesa e futbollistëve në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve për shkëputjen nga Tirana dhe kalimin tek Vllaznia. Gjithçka dukej në rregull por të nesërmen gjërat morën rrjedhë tjetër. Ndërhyrja në minutat e fundit e kryebashkiakut të Tiranës Lulëzim Basha i ka mbajtur këto tre futbollistë të veshur kuqeblu.
Verë 2013
Historia është e njëjtë. Madje më pak e komplikuar. Bëhet fjalë sërish për futbollistë cilësorë të cilët tani nuk kanë as probleme kontratash dhe asgjë tjetër me ekipet e mëparshme sepse kanë leje-kalimet në dorë. Përveç kësaj, tani ndoshta nuk bëhet fjalë më për 200 mijë euro. Me gjysmën e kësaj shume, merren jo tre si dy vite më parë por këtë herë katër futbollistë cilësorë. Pazari ka rënë. Kriza ekonomike po ndikon dukshëm në kampionatin shqiptar. Dritan Smajli, Miroslav Vujadinoviç, Ilion Lika, Erjon Dushku, Blazhe Rajoviç, Migen Memelli, Ribaj etj janë të gatshëm të mbërrijnë në Shkodër dhe të firmosin. Sigurisht jo të gjithë duhen. Me 4 prej tyre do bëhej një punë e madhe sepse do ndërtohej një skuadër e cila do ishte pretendente për fitimin e trofeve në sezonin e ri. Prandaj duhej edhe një tjetër “po” e kryebashkiakut Luka dhe situata tek Vllaznia nga sot do ishte krejt ndryshe. Edhe për opinionin sportiv i cili është i mbushur me dyshimet për ekzistencën apo jo të kësaj skuadre në superligë për sezonin e ri. Me realizimin e 4 blerjeve, gjërat do ishin në rrugën e duhur. Një portier, një mbrojtës, një mesfushor qendre dhe një sulmues. Kaq mjaftojnë dhe kuqeblutë bëhen super. Për ta bërë këtë, duhet një “po” sërish e kryebashkiakut- president Luka. Vetëm kaq mjafton.
Gjergj KOLA