Të premten, Abissnet Superiore ka mbyllur edhe javën e 14-të të kampionatit. Në fund të kësaj jave, “OverSport” dhe Andi Lila kanë publikuar edhe formacionin më të mirë, teksa pjesë e 11-shes ndodhet edhe një shkodran.
Më konkretisht, bëhet fjalë për Edon Hasanin, i cili ishte padyshim një ndër futbollistët më të mirë në fushën e lojës në fitoren e skuadrës së Kastriotit. Kjo e fundit ia doli të fitonte me shifrat minimale 1-0 ndaj Vllaznisë, duke siguruar kështu një trepikësh shumë të rëndësishëm.
Realisht, paraqitja e Hasanit ishte për t’u vlerësuar, me mesfushorin shkodran që ka fituar edhe një vend në formacionin më të mirë të javës të “OverSport” dhe Andi Lilës.
Ndërkohë, përveç Hasanit, trajneri më i mirë i kësaj jave është sërish po një shkodran. Fjala është për teknikun e Teutës, Edi Martini. Ai duket se ka ringjallur Teutën dhe tashmë “kura” Martini po jep efekt dhe me fitoren ndaj Tiranës janë rritur shanset e durrsakëve për mbijetesë.
Realisht, që me rikthimin e Edi Martinit në stolin e durrsakëve, Teuta duket se ka gjetur përsëri çelësin e suksesit. Me Martinin në krye të pankinës, ekipi durrsak ka qenë mëse i suksesshëm, pasi janë arritur dy fitore rradhazi në kampionat, duke u larguar përkohësisht nga vendi i fundit i renditjes.
Si për Edon Hasanin, por edhe për trajnerin Edi Martini, përfshirja në formacionin më të mirë të javës, padyshim që është një motiv më shumë që ata të vazhdojnë të bëjnë edhe më mirë në ndeshjet e ardhshme, për t’u rritur në këtë mënyrë edhe më shumë nga ndeshja në ndeshje.
Maringlen ZHIVANI