Friday, June 19, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLPerformancat pozitive në sezonet e fundit, stema FIFA-s 'troket' për gjyqtarin shkodran

Performancat pozitive në sezonet e fundit, stema FIFA-s ‘troket’ për gjyqtarin shkodran

Shkruar nga Endri ÇINARI

Në futbollin shqiptar, ku arbitrat shpeshherë gjenden në qendër të kritikave dhe polemikave, Ditmir Grimci po arrin të bëjë diferencën me performancat e tij. Arbitri shkodran ka shfaqur një rritje të konsiderueshme në dy sezonet e fundit, duke u kthyer në një nga emrat më të vlerësuar të arbitrimit në vend. Në moshën 35-vjeçare, ai po dëshmon se puna, përkushtimi dhe profesionalizmi janë rruga më e sigurt drejt suksesit.

Si në ndeshjet e Kategorisë Superiore, ashtu edhe në ato të Kategorisë së Parë, Grimci ka treguar autoritet në menaxhimin e takimeve. Vendimet e tij kanë qenë kryesisht të sakta dhe të pranuara nga protagonistët në fushë, ndërsa mënyra se si ka administruar ndeshje me ngarkesë të lartë emocionale ka tërhequr vëmendjen e specialistëve të arbitrimit. Rigoriziteti dhe korrektësia kanë qenë dy prej armëve më të forta të tij gjatë kësaj periudhe.

Një tregues i qartë i nivelit të paraqitjeve të shkodranit është edhe numri i vogël i polemikave që kanë shoqëruar ndeshjet e drejtuara prej tij. Në një kampionat ku çdo vendim arbitrar analizohet në detaje, Grimci ka arritur të ruajë një profil profesional dhe të fitojë respektin e klubeve, futbollistëve dhe opinionit sportiv. Kjo nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga ekspertët e arbitrimit, të cilët në disa raste kanë vlerësuar publikisht performancat e tij.

Niveli i treguar gjatë dy sezoneve të fundit e pozicionon atë mes arbitrave më premtues të futbollit shqiptar. Shumëkush e konsideron tashmë si një nga emrat me perspektivën më të madhe për vitet në vazhdim, ndërsa vazhdimësia në këto standarde mund t’i hapë dyert drejt objektivave edhe më të mëdha. Në këtë aspekt, një stemë FIFA në të ardhmen nuk duket aspak një mision i pamundur, por një shpërblim i merituar për punën dhe përkushtimin e treguar.

Megjithatë, ajo që e karakterizon më shumë arbitrin shkodran mbetet modestia. Pa bujë dhe larg vëmendjes së tepërt, Grimci po vijon të ngjisë shkallët e hierarkisë së arbitrimit shqiptar me qetësi dhe profesionalizëm. Çdo sezon që kalon e sheh atë më të pjekur, më të sigurt dhe më të besueshëm, duke konfirmuar se futbolli shqiptar mund të mbështetet te një arbitër që po ndërton me meritë një karrierë të rëndësishme.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments