Displina patjetër që është një pikë që duhet zbatuar në çdo sport, e që ndëshkohet në rast se shkelet. Kështu në 7-të javët e para të Superligës, ekipi i Vllaznisë është ekipi më i ndëshkuar me kartona nga ana e gjyqtarëve.

Numrat tregojnë që kuqeblutë janë një skuadër “gjaknxehtë” dhe kryesojnë në renditjen e kartonave deri më tani.

Kështu shkodranët numërojnë 23 kartona në total. Ku 21 janë të verdhë dhe 2 i kuq. Kjo si pasojë e vendimeve arbitrare që shpesh nuk janë pranuar nga futbollistët apo edhe drejtuesit kuqeblu. Duket se 9 herë kampionët e vendit janë “preja” e preferuar e “xhaketave” të zeza në Superligë.

Pas Vllaznisë, ekipi më i ndëshkuar është Tirana me 21 kartonë në total, ku 20 janë të verdhë dhe 1 i kuq. Podiumin e plotëson Kastrioti me po 21 kartona ku numëron të gjithë të verdhë.

Ekipet më shembullore për momentin janë Partizani dhe Laçi me nga 15 kartona të verdhë. Jo domosdoshmërisht kartonat tregojnë se skuadrat luajnë futboll të ashpër.

Pasi shumë prej tyre kanë ardhur edhe nga protestat e futbollistëve që nuk kanë qenë dakord me vendimet e arbitrave në ndeshje të caktuara.

Endri ÇINARI