Nga tre basketbollistët e huaj që pritej të riktheheshin tek Vllaznia, vetëm malazezi Nemanja Gavraniç ka pranuar ofertën për t’u rikthyer tek kjo skuadër dhe për të qenë pjesë e saj deri në fundin e sezonit. Ai do të mbërrijë nesër në Shkodër për të nisur stërvitjen me ekipin nën drejtimin e trajnerit Gjeçaj. E ndërsa Gavraniç do të rikthehet, nuk do të ndodhë kështu me dy ish- basketbollistët e tjerë të huaj, Gjokoviç e Sarajlija.
I pari ka një kontratë me ekipin e Ulqinit dhe drejtuesit e tij nuk e kanë lejuar të largohet. Nga ana tjetër, Sarajlija ka firmosur një kontratë në Gjeorgji për të vazhduar atje karrierën e tij. në rrethana të tilla, drejtuesit e klubit shkodran kanë hyrë në negociata edhe me dy basketbollistë amerikanë të cilët në fillim ishin të gatshëm të vinin në Shqipëri por më pas kanë ndryshuar mendje. Kjo ka bërë që shpresat për gjetjen e ndonjë lojtari cilësor të bien dhe prandaj ajo që duhet është mbajtja e shpresës për marrjen edhe e një tjetër basketbollisti të huaj cilësor të paktën. Ardhja e Gavraniç është pozitive por nuk mjafton sepse kampionati pritet të jetë shumë i fortë dhe rivaliteti me Tiranën por edhe me Kamzën, do të jetë shumë i fortë. Ekipi shkodran patjetër që duhet të përforcohet nëse do që të ruajë titullin kampion sepse ndryshe do të jetë shumë e vështirë. Të shtunën, ekipi shkodran do të zhvillojë ndeshjen e dytë të fazës së dytë të kampionatit teksa do të luajë në Vlorë ndaj Flamurtarit vendas.
© shkodrasport.com