Vllaznia është skuadra që po bën një paraqitje mjaft të mirë në këto javë të fundit të kampionatit të Kategorisë Superiore. Dhe shifrat flasin vetë. 5 fitore radhazi, konkretisht ndaj Dinamos, Tiranës, Skënderbeut, Kukësit dhe Erzenit. Tri fitore në Shkodër, ndërsa dy të tjerat jashtë fushe. Kjo ecuri të kujton atë të 10 viteve më parë, që përkon me edicionin 2014-2015, kur Vllaznia drejtohej nga trajneri italian, Baldo Raineri.

E mbi të gjitha, portieri Qarri e ka mbajtur të paprekur portën e tij për 4 ndeshje. Kjo javë që sapo ka nisur është vendimtare për ecurinë e skuadrës shkodrane, pasi futbollistët e saj do të luftojnë në dy fronte, për Kupën e Shqipërisë të mërkurën dhe më pas në kampionat.

Të mërkurën përballë shkodranëve do të jetë Flamurtari, për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, më pas vjen sfida me Partizanin, ku të besuarit e trajnerit Qatip Osmani do të synojnë fitoren për t’I rrëmbyer skuadrës kryeqytetase vendin e dytë në renditjen e superiors. Në përgatitje për këto dy ndeshja skuadra është e plotë dhe vijon stërvitjen në Shkodër.

Klubi kuqeblu është tepër aktiv edhe në këtë merkato dimërore. Vijojnë bisedimet për të afruar në skuadër Shkodran Mustafin. Lajmin e konfirmon vetë trajneri Osmani dhe pritet që lajmi të konfirmohet brenda kësaj jave. I vetmi afrim i konfirmuar te Vllaznia është Andrei Almeida, ndërsa janë larguar, Dodev, Dragoshi, Çeshmedjiev dhe Xhelil Asani.