Ekipi i të rinjve të Vllaznisë në boks, ka arritur të shpallet kampion i Shqipërisë pas dy vitesh mungesë. Kjo ka ndodhur mesditën e sotme në kampionatin e zhvilluar në Shkodër. Madje, ka qenë ndeshja e fundit e ditës finale, ajo e peshës +91 kg që ka përcaktuar Vllazninë si kampione. Në fakt favorite deri në këtë ndeshje ka qenë Apolonia e Fierit për t’u shpallur ajo kampione. Nëse boksieri i saj Sotir Dyrmishi do kishte fituar këtë ndeshje të fundit, do ishin fierakët ata që do shpalleshin kampionë. Megjithatë kundërshtari i tij, lezhjani Elton Gjoni me goditjet e tij e ka vënë shumë në vështirësi fierakun, aq sa nga goditjet e shumta i ka shkaktuar gjakderdhje në hundë dhe për rrjedhojë ai nuk ka mundur ta vazhdojë dot më ndeshjen.
Në kushte të tilla, Vllaznia me tre boksierë kampionë (Apolonia kishte dy) dhe megjithëse me pikë të barabarta, arriti të shpallej kampione e Shqipërisë. Kjo falë suksesit të Erald Mukjes që në finalen e peshës 64 kg ka fituar përballë Samet Llukajt të Besës, të Rexhildo Zenelit që në finalen e peshës 60 kg ka fituar 11-8 ndaj Arnold Kuqarit të Apolonisë dhe të Gjon Nikës që në finalen e peshës 69 kg ka fituar 10-9 me Renato Roshin e Eneas. Shumë interesante finalja e peshës 81 kg në mes Syrja Marinajt të Vllaznisë dhe lezhjanit Jurgen Uldedaj që përfaqësonte Teutën. Ka fituar ky i fundit megjithatë shkodranët kanë kontestuar vendimin e gjyqtarisë. Gjithsesi Uldedaj meritoi edhe kupën e boksierit më të mirë të kampionatit ndërsa Marinaj u vlerësua si boksieri më luftarak ndërsa Mikel Hodaj i Apolonisë si boksieri më teknik. Në këtë mënyrë, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Jozef Sermi ka siguruar një tjetër trofe duke u rikonfirmuar si ekipi më i mirë në Shqipëri për këtë vit.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)