Vllaznia është shpallur kampione e Shqipërisë në atletikë për 20 vjeçarët. Kampionati kombëtar I kësaj grupmoshe është zhvilluar pasditen e së mërkurës në pistën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” të kryeqytetit dhe është dominuar nga atletët shkodranë. Kanë marrë pjesë në të sportistët më të mirë të të gjithë ekipeve të vendit por natyrisht që performancën më të mirë ndër to e kanë bërë ata të Vllaznisë. Ka spikatur mbi të gjithë atleti Lulëzim Çengeli I cili ka dalë kampion në dy gara, atë të 200 dhe 400 metrave. Ky atlet, është shpallur njëkohësisht edhe sportisti më I mirë I kampionatit duke merituar një kupë të posaçme.

Një figurë shumë të mirë sportive ka bërë edhe atleti tjetër, Xhaneto Zefi I cili edhe ai ka dalë kampion në dy gara, atë të 110 metrave me pengesa dhe atë të 400 metrave me pengesa. Kampion gjithashtu ka dalë edhe Klinti Tula në garën e kërcimit trehapësh. Edhe Vllaznia si ekip ka zënë vend të parë në garën e stafetës 4 x 100 metra. Pritej ndoshta diçka më tepër nga atletët Bajram Muça dhe Gledis Halluni të cilët kanë qenë të dëmtuar dhe nuk kanë mundur të japin dot më të mirën e tyre në këtë kampionat. Megjithatë suksesi është arritur. Atletët 20 vjeçarë të Vllaznisë kanë bërë detyrën e tyre duke mbrojtur titullin kampion edhe për këtë vit. Në këtë mënyrë, 2013-a ka nisur në mënyrën e duhur për ekipin e atletikës së Vllaznisë. Kampion me moshat, kampion së fundi edhe me 20 vjeçarët, fitues I Kupës së Shqipërisë me të rriturit, vend të parë për Izmir Smajlin në turneun ndërkombëtar të Tivarit dhe po ashtu formë e shkëlqyer në kupën “Hysni Bebeziqi”. Këto tregojnë se atletika shkodrane vazhdon rrugën e saj të sukseseve duke qenë triumfuese në të gjithë aktivitetet që zhvillohen në vendin tonë.

Gjergj KOLA

(www.shkodrasport.com)