Edhe më optimisti nuk do ta kishte menduar se pas 14 javësh kampionat, Vllaznia mund të ishte në krye të renditjes në fillim të sezonit dhe jo vetëm që do të ishte në krye, por mbi të gjitha që do të kishte një diferencë prej 9 pikësh ndaj rivalëve.

Por ato pikë diferencë nuk janë rastësisht për Vllazninë, për faktin se në këto 14 javë realisht shkodranët kanë qenë ekipi më i miri, me lojën më cilësore dhe me më tepër vazhdimësi. Në fazën e parë madje kur humbën 2-4 me Kukësin në shtëpi, jo vetëm që nuk morën tatëpjetën, por ishin në gjendje të ktheheshin menjëherë te rezultatet e pritshme.

Më tepër se cilësitë individuale të një lojtari në veçanti, te Vllaznia ajo që mbizotëron dhe që bën diferencën është forca e grupit. Edhe ndaj Kukësit, pavarësisht mungesës së disa titullarëve, sërish përfundimi ishte i njëjtë duke shprehur të njëjtën sintoni në lojë, me lojtarët që gjejnë me lehtësi njëri-tjetrin në sulm, ndërtojnë aksione me pasime të gjata për të mbërritur në thellësi, lëvizin në mënyrë të njëtrajtshme dhe mbi të gjitha janë produktivë përpara portës.

Nëse kampionati thotë gjithmonë të vërtetën, e sigurt është që vërtetë Vllaznia e meriton vendin që ka në klasifikim dhe me derbin e kryeqytetit që qëndron pas porte, mund të ketë shansin për të patur një tjetër shkëputje në renditje, për një kampionat që deri në këto çaste ka folur vetëm me gjuhën e tyre.