KF Vllaznia është prej disa ditësh në një proçes ri-organizimi. Drejtuesit kuqeblu dhe presidenti Alban Xhaferi kërkojnë një staf dhe një skuadër për titullin kampion dhe mesa duket do të ketë ndryshime edhe në hallkat e klubit.
Një gjë të tillë e bën me dije edhe njëri prej ish-drejtuesve të KF Vllaznia vite më parë, Ardian Zaganjori. Ky i fundit, i njohur si person i afërt me drejtuesit kuqeblu dhe presidentin Alban Xhaferi, në emisionin “Studio Sport” në RTSH Shkodra dha lajmin se Vllaznia do të bëjë edhe emërimin e një drejtori të përgjithshëm, i cili së bashku me drejtorin sportiv Elvis Plori dhe trajnerin e ri, do të merren me merkaton.
“Do të kemi një Vllazni pretendente sezonin e ri. Ky vit i ardhshëm do të jetë një vit më i mirë i këtij projekti të presidentit Alban Xhaferi. Sivjet, presidenti Xhaferi është shumë i vendosur që Vllaznia të mos e diskutojë më titullin kampion.
Unë kam informacione se do të ketë edhe një drejtor të përgjithshëm të KF Vllaznia. Mesa di unë, do të jetë një person që do të merret vetëm me organizimin e përgjithshëm të klubit.
Ndërkohë që, drejtori sportiv, Elvis Plori, në bashkëpunimin me trajnerin e ri, do të kenë kompetenca të plota për merkaton, si edhe do të përgjigjen për ndërtimin e skuadrës së re të Vllaznisë”,-tha gjatë prononcimit të tij, ish-drejtuesi i Vllaznisë vite më parë, Ardian Zaganjori.
Maringlen ZHIVANI