Vllaznia do luajë ditën e sotme në orën 16:45 kundër Teutës në transfertë. Takimi është i vlefshëm për javën e 11-të të kampionatit dhe pritet të zhvillohet shumë i fortë mes të ekipeve. Kjo edhe për pretendimet e larta që kanë të dy skuadrat, por edhe për formën që po kalojnë ku shkodranët duan të vijojnë formën e mirë e durrsakët të dalin nga kriza.

Por ndeshja nuk do luhet në Durrës dhe në stadiumin “Niko Dovana”, por në “Elbasan Arena”. Kjo për shkak se tapeti i stadiumit në Durrës nuk është ende gati për të pritur ndeshje. E në sezonet e fundit fusha e Elbasanit ka qenë e frekuentuar shumë nga Vllaznia.

Që nga sezoni i shkuar Vllaznia është përballur në Elbasan dy herë me Kukësin. Në një rast ka fituar 0-1 me një gol të Kalajës. E në takimi tjetër ka humbur 2-1 përballë kuksianëve, ndeshje ku shënonte Hoxhaj. Po ashtu në sezonin e shkuar mori një barazim 0-0 kundër Partizanit në Elbasan.

Këtë sezon po ashtu me të kuqtë, Vllaznia ka ndarë një barazim 1-1, ku rrjetën e gjeti Da Silva në javën e 3-të të kampionatit.

Po ashtu Vllaznia ka luajtur në Elbasan ndeshjen e Superkupës në gusht, ku është mundur nga Teuta në shifrat 0-3.

Statisika krejtësisht të barabarta për kuqeblutë në këtë impiant në dy sezonet e fundit ku numëron 2 barazime, 1 fitore dhe një humbje në Superligë. Ndërsa numërohet edhe humbja e Superkupës. Tashmë ndeshja kundër durrsakëve sonte do shohë nëse statistikat do ndryshojnë apo jo.
Endri ÇINARI