Vllaznia ndodhet që prej javës së kaluar në Zllatibor të Serbisë, aty ku po kryen një minifazë përgatitore në prag të ballafaqimit me Shiroki Brijeg për turin e parë të Ligës së Konferencës më 8 korrik.
Trajneri Tomas Brdariç, për tri ditë radhazi ka aplikuar nga dy seanca në ditë, paradite dhe pasdite. Në këtë moment, nga burime pranë stafit mjekësor, konfirmohet se futbollistët po i përballojnë me sukses ngarkesat, duke mos pasur shqetësime për trauma muskulore. Kjo jep garanci për një proces intensiv edhe në ditët e ardhshme.
Ndërkohë, sot në orën 18:00, Vllaznia do të luajë ndaj ekipit malazez, Sutjeska të Nikshiqit. Kundërshtari i kuqebluve është akomoduar gjithashtu në kampingun e Zllatiborit. Ky do të jetë testi i dytë në radhë, pasi të shtunën e kaluar Vllaznia barazoi 1-1 ndaj Buduçnostit në Podgoricë.
Sot pritet të aktivizohen edhe lojtarët që kanë mbërritur për provë në kampin kuqeblu si mbrojtësi i majtë, Bruno Oliveira, mesfushori Uellinton Gustavo dhe sulmuesi Markovanbasten Çema.
Gjithashtu, për këtë ndeshje Brdariç do të ketë në dispozicion edhe mesfushorët Fjoart Jonuzi dhe Viktor Da Silva. I pari rinovoi kontratën në fillim të kësaj jave dhe iu bashkua menjëherë skuadrës.
Ndërsa braziliani ka mbërritur me disa ditë vonesë, pasi ka pasur leje nga klubi. Da Silva ka bërë vetëm tri seanca stërvitore, duke qenë disi mbrapa ekipit.