Vllaznia e viteve ’70 është një nga më të bukurat dhe më të suksesshmet e futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Pjesë e saj kanë qenë shumë emra të shquar të cilët kanë lënë pas një emër shumë të mirë me lojën dhe paraqitjet e tyre në fushën e lojës. Një prej tyre është edhe mbrojtësi i majtë i asaj kohe Menduh Dedja. Një lojtar i shpejtë dhe që gjithmonë ka rënë në sy për performancën e tij në këtë krah.

Menduh Dedja ka lindur në Shkodër më 13 mars 1945 dhe ka nisur të luajë herët futboll. Shfaqet protagonist në finalen e Kupës së Republikës të vitit 1965 atëherë kur Vllaznia fiton të parën kupë në historinë e saj.

Më pas vazhdon të luajë rregullisht në formacionin kuqeblu dhe të jetë pjesë e sukseseve të kësaj skuadre në sezonin 1971-72 kur fitoi si titullin kampion edhe Kupën e Republikës. Po ashtu edhe në titullin e sezonit 1973-74. Pas lënies së futbollit, vazhdon të bëjë për shumë vite detyrën e trajnerit të moshave dhe më pas edhe tek ekipi i të rriturve të Adës.

Por një sëmundje e rëndë i ka marrë moshën në një moshë disi të re sepse është ndarë nga jeta vetëm 64 vjeç, saktësisht më 16 prill të vitit 2009.

Menduh Dedja, i dha shumë futbollit shkodran dhe atij shqiptar, ku ndër sukseset më të mëdha të karrierës së tij sportive janë tre trofet e fituara me uniformën kuqeblu. Menduh Dedja, ish- mbrojtësi i majtë i kuqebluve, i ashtuquajturi “zeklani” i Vllaznisë ka lënë emrin e tij në historinë e këtij klubi.

I gjithë opinioni sportiv, sidomos në qytetin e Shkodrës e kujtojnë mbrojtësin e majtë të skuadrës kuqeblu.
që së bashku me kolegët e brezit të tij, Paulin Ndojën, Zyhdi Bashën, Selman Cukalin, me të cilin pati një shoqëri shumë të afërt edhe pas largimit nga sporti deri sa ndërroi jetë, Frederik Çapalikun, Hajrullah Lekajn, Lëkë Koçobashin, Ramazan Rragamin, Mehdin Zhegën, Suad Durrajn, Halil Pukën, Ismet Hoxhën, Sabah Bizin, Çesk Ndojën, Rauf Çangën, por edhe me trajnerin rezultativ Xhevdet Shqiri, etj, ka lënë të shkruar një sërë rezultatesh brilante në historinë e futbollit shkodran duke qënë fitues i trofeve kombëtarë të viteve 1965, 1972 dhe 1974, pa përmendur këtu edhe sa e sa ndeshje të sukseshme që ai shpalosi në formacionin shkodran si një titullar i padiskutueshëm.

Ndërkohë, me po aq sukses dhe pasion, Menduh Dedja do të vijonte edhe në rolin e trajnerit, ku pas largimit nga fusha e blertë si futbollist, ai spikat në detyrën e përgatitësit të elementit të ri në, kryesisht me ekipet zinxhir, puna mjeshtrore e të cilit evidenton një sërë talentesh që mbërrijnë edhe në ekipin e parë.

Ndërkohë që ka meritë edhe në drejtimin e Adës së Velipojës në vitet e para të pjesëmarrjes së saj në kategorinë e parë. Nën shembullin dhe vlerat e Menduh Dedjës, tradita në famijen e njohur sportive “Dedja” vazhdon me Hysen Dedjen, vëllain e Menduhit, i cili e çon edhe më lart emrin e mirë të kësaj familje, kontributi i të cilit në futbollin shqiptar vazhdoi për vite me rradhë.

Duke folur për karakteristikat e tij si futbollist, për “Shkodra Sport” një ish- kolegu i tij- Rauf Çanga, shprehet: “Një futbollist që erdhi duke u kompletuar në karrierën e tij, qysh kur e nisi atë dhe deri sa e la sportin, forma e tij erdhi gjithnjë në rritje. Ka spikatur në krahun e majtë të mbrojtjes dhe u bë i pari futbollist në Shkodër e Shqipëri në atë periudhë që kaloi mesin e fushës duke shkuar deri në fundore dhe madje nuk kanë munguar as golat e shënuar prej tij.

Në atë kohë, bashkë me mua dhe me Halil Pukën, krijuam një treshe disi të frikshme në krahun e majtë, duke u bërë një rrezik konstant për çdo kundërshtar. Menduhi ka qenë pak i lehtë në peshën trupore, por shumë teknik dhe pozicional. Një futbollist që i ka bërë nder Vllaznisë me lojën e tij në vite”.

Menduhi trajner
Duke e lenë mënjanë karrierën e tij shumë të pasur si futbollist në fushën e lojës, ku përvec katër trofeve të fituara në formacionin e kuqebluve, dhe shumë e shumë të tjerave në kampionatet dhe kupat që ai ka luajtur në përbërje të Vllaznisë, Menduh Dedja, merr vlera të vecanta edhe si trajner.

Falë një natyre të qetë që e karakterizonte në punën e tij, Menduhi do të dinte që shumë shpejt të formonte grupin e tij me futbollistë mjaft cilësorë, loja e të cilëve në ballafaqimet me ekipet rivale tërhiqte vemendjen e specialistëve përkatës.

Falë këtij grupi ekipi i Vllaznisë për të 17 vjecarë do të shpallej kampion i Shqipërisë, titull që Menduhi e përjetoi mjaft bukur së bashku me pjesëtarët e skuadrës. Në gjirin e ekipit të Menduh Dedjes bënin pjesë futbollistë shumë cilësorë, me të cilët ai kishte plane që të avaconte shumë me to, që duke i qëndruar afër, me punën e tij profesionale t’i përcilltenjë pjesë të mirë të tyre në ekipin e parë të Vllaznisë, pasi e tillë ishte përgatitja dhe talenti i tyre i mrekullueshëm.

Pjesë e kësaj liste ishte edhe mesfushori i talentuar i Vllaznisë Ndricim Shtubina. “Natyrisht që koha bën të veten, dhe karriera e ime do të vazhdojë përmes punës dhe bashkëpunimit edhe me trajnerë të tjerë shqiptarë, pse jo edhe të huaj më pas, por gjithsesi, vitet e para të stervitjes me professor menduhin nuk kam për t’i harruar kurrë.

Ai përvecse ishte një trajner dhe profesionist i vertetë në fushën e sportit, në të njëjtën kohë ishte edhe një prind shembullor, jo vetëm në familjen e tij fisnike, por edhe me ne sportistët, duke na trajtuar gjithmonë si djemtë e tij”- do të shprehej kohë më parë Shtubina.

NDERIMI
Për vlerat e tij në fushën e futbollit, si futbollist, por edhe si trajner, Këshilli i Bashkisë së
Shkodrës e ka nderuar figurën e Menduh Dedjes me titullin “Krenaria e Qytetit”, duke mos munguar edhe një sërë diplomash dhe vlerësimesh që ka pasur gjatë kartrierës së tij sportive.

E kur flasim për jetën e tij sportive, pjesë e së cilës është edhe angazhimi me sportin e bilardos, mjaft i preferuar nga ana e mjeshtrit të shquar të futbollit tonë Menduh Dedja. Së bashku me baxhanakun e tij, Xhevat Sokoli, kampionin absolut të bilardos shqiptare, Menduhin do ta shikoje jo pak herë në sallën e shoqatës së bilardos “Alfred Ashiku” të qytetit të Shkodrës, si një nga konkurentët më dinjitozë të këtij sporti, sidomos në disiplinën e 16-tëshes, por jo pak edhe në atë të karrambolit.
Gjergj KOLA