Vllaznia u hap rrugën të rinjve. Ne ndeshjen qe ajo do te luaje sot ne oren 15.00 ne Shijak ndaj Erzenit, do te kete ndryshime ne formacionin e saj. Ndryshimet do te nisin që nga porta . Në këtë takim, kuqeblutë pritet të zyrtarizojnë edhe rikthimin në Superiore, ndërsa në portë do të jetë një 18-vjeçar.

Bëhet fjalë për Kristi Qarrin. Të dy portierët e skuadrës së parë, Alen Sherri dhe Erind Selimaj, janë të dëmtuar. I pari ka pësuar një dëmtim në shputën e këmbës së djathtë, ndërsa Selimaj ka shqetësime në sy.

Në këtë situatë, trajneri Canaj do të hedhë në fushë nga minuta e parë gardianin e U-19. Qarri është formuar tek akademia Vllaznia dhe aktualisht është pjesë e skuadrës së 19- vjeçarëve.

Ai shihet si pasuesi i Sherrit. Në 22 ndeshje me U19, ai ka pësuar vetëm 13 gola. Ai do të ketë mundësinë të tregojë veten në ndeshjen e së dielës me ekipin e parë. Trajneri Agim Canaj deklaroi dy ditë më parë se në ndeshjet në vazhdim do të ketë minuta në dispozicion për të gjithë lojtarët e rinj, ndërsa ekipi pret që të zyrtarizojë edhe biletën për në elitë.