Sezoni i ri sportiv për Vllazninë e volejbollit të meshkujve do të nisë ditën e sotme me ndeshjen e Kupës së Federatës. Kështu, ekipi shkodran i meshkujve do të luajë gjysmëfinalen me ekipin e Tiranës.

Në fakt, gjendja tek skuadra e meshkujve që drejtohet nga trajneri Artan Kalaja nuk paraqitet fort e mirë, pasi siç dihet nga rradhët e saj ka pasur largime titullarësh. Megjithatë, kuqeblutë do ta shfrytëzojnë pjesëmarrjen në këtë ndeshje ndoshta si test kolaudues për ndeshjet e kampionatit.

Realisht, që në letër kuptohet që është një përballje shumë e vështirë, por gjithsesi Vllaznia do të mundohet ta tregojë forcën e saj që ka deri më tani në këtë përballje ndaj Tiranës.

Kështu, mbetet për t’u parë se cila do të jetë paraqitja e Vllaznisë në ndeshjen e sotme ndaj Tiranës, teksa ekipet do të zbresin në sallën sportive të Farkës në kryeqytet, duke nisur nga ora 18:00.
Maringlen ZHIVANI