Sot, Teuta dhe Vllaznia do të përballen sërish në “Niko Dovana”, teksa janë në situatë kritike të dyja, pasi Teuta mbyll tabelën e klasifikimit me 12 pikë, ndërsa Vllaznia është në vend të tetë me 14 pikë.

Rikthimi i Bekim Balajt është lajmi më i mirë për trajnerin Osmani në prag të ndeshjes me Teutën, që do të luhet sot në orën 16:00. Sulmuesi kryesor ka shlyer pezullimin dhe do ta nisë nga minuta e parë.

Nga ana tjetër, pritet që të grumbullohet për këtë ndeshje edhe mesfushori Esat Mala, i cili ka qenë i dëmtuar dhe ka munguar në të tria takimet e fundit. Ai pritet ta nisë nga stoli dhe mund të marrë minuta në pjesën e dytë.

Mungesë e konfirmuar është ajo e qendërmbrojtësit Millosh Stojanoviç, i cili u dëmtua para ndeshjes me Laçin. Mirëpo, paraqitja e mirë e Gledjan Pusit, ka bërë që Osmani të rikonfirmojë sërish të riun në qendër të mbrojtjes, krahas kroatit Juriç.

Me Qarrin në portë, nga krahët e prapavijës do të jenë si zakonisht Smajli dhe Hakaj. Në mesfushë do të luajnë Krymi, Boshnjaku dhe Alivoda, ndërsa në sulm treshja Gruda-Çoba-Balaj.