Vllaznia ka kaluar një pjesë të parë mes luhatjesh të sezonit dhe në këtë merkato dimri do të duhet të ndërhyjë në merkato për të përmirësuar skuadrën, me qëllim arritjen e synimeve të vendosura nga drejtuesit kuqeblu.

Kështu, sipas asaj që “Shkodra Sport” ka arritur të mësojë, drejtuesit nuk kanë në plan të bëjnë një revolucion të madh në skuadër, duke mos e lëvizuar “bërthamën” e ekipit, duke ndikuar edhe nga kufizimet e shumta në emra dhe cilësi që ka dritarja e transferimeve të janarit.

Aktualisht, drejtuesit janë në fazën e negociatave të para me futbollistët e përzgjedhur. Ashtu si në verë, nga merkatoja e Vllaznisë nuk priten mrekulli, por shkodranët do të mundohen të gjejnë futbollistë jo me kosto tej normales, por që e njohin shumë mirë kampionatin.

Objektivi do të jetë pikërisht tregu ynë dhe futbollistë që kanë luajtur më parë në Shqipëri, për shkak se kërkohet që ata të ambientohen sa më shpejt të jetë e mundur. Mbrojtja dhe sulmi janë dy repartet, ku nevoja për ndërhyrje është e madhe dhe pikërisht atje do të synohet forcimi në janar.

Dy apo tre futbollistë në javët në vijim pritet të zbarkojnë në “Loro Boriçi”. Për momentin, nga klubi nuk kanë dalë emra, por kjo situatë nuk pritet të zgjasë shumë.

Realisht, Vllaznia humbi tërësisht “busullën” ndaj Egnatias dhe Kastriotit, duke dëshmuar se ka probleme të theksuara dhe diferenca me skuadrat e kreut është evidente, por kuqeblutë reaguan disi në ndeshjen e fundit ndaj Teutës, me atë fitore të thellë 4-0.
Maringlen ZHIVANI