Zyrtarë të klubit Vllaznia kanë bërë një takim të enjten me një përfaqësi të ultrasve, “Power 12”.
Sekretari i përgjithshëm i klubit, Blendi Dibra, drejtori teknik i akademisë, Alban Hasani, si dhe zëdhënësi i klubit, Gjergji Kola, kanë diskutuar për mbi një orë me një përfaqësi prej 7 tifozësh.
Mësohet se kërkesat e tyre ndaj klubit kanë qenë katër.
Së pari, ultrasit kanë kërkuar mbështetje nga klubi për transportin dhe biletat në ndeshjet jashtë Shkodrës deri në 50 persona.
Së dyti, ata duan sigurimin e një vendi brenda stadiumit për grumbullimin e tifozëve përpara ndeshjeve në shtëpi dhe nisjes në transferta.
Së treti, kërkuan përgjysmimin e çmimit të biletave për çdo anëtar të grupimit.
Së katërti, ata kërkuan që çdo biletë e vënë në dispozicion nga klubi të ketë shenjën dalluese të grupimit.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse do të plotësohen kërkesat nga klubi.