Në shumë skuadra u investua për të qenë pretendente për titull. Që nga Tirana, kampione në fuqi, deri te Teuta, Laçi, apo Kukësi.
Partizani mori Ilir Dajën në krye, por tani që u hap merkatoja, kanë bërë edhe të kuqtë lëvizjet për të ngjeshur distancën me kuqeblutë. Mirëpo, a është më Vllaznia një surprizë e bukur në kampionat? A është vetëm rastësi që vijon të jetë prej javësh në krye? Absolutisht që jo. Gazeta ju sjell disa nga faktorët pse kuqeblutë janë në rrugën e duhur:
Së pari, Vllaznia është në rrugën e duhur për shkak të gjithçkaje që kemi parë deri më tani nga kuqeblutë. Një grup mesatar lojtarësh në nisje, që tanimë janë lojtarë të konfirmuar për vlerat që kanë. Për besimin që kanë. Dhe pa frikë thua që Gurishta, Krymi, Imami e të gjithë me radhë, s’janë lojtarët e një viti më parë. Janë tjetërsuar.
Së dyti, Vllaznia është “e frikshme” për vetë diferencën që ka nga ndjekësit. Nuk po lejon asnjë ta thyejë këtë distancë.
Së treti, kjo skuadër, ky grup lojtarësh tani kanë mentalitetin e kryesuesit dhe qetësinë që të ofron distanca e krijuar.
Së katërti, Vllaznia nuk është vetëm një nga skuadrat e rrezikshme për titullin, por tani është pretendentja kryesore për ta fituar atë. Kjo, për faktin se as në përballje me rivalet direkt nuk po mposhtet. Partizani, për momentin e vetmja skuadër që mund dhe duhet ta rivalizojë dhe ndalë vrullin e shkodranëve si mënyrë për të shtuar mundësitë e veta për kreun, nuk ia doli në Elbasan.
Në dy ndeshje të luajtura, Vllaznia i merr katër pikë Partizanit. E njëjta gjë edhe me Teutën, një fitore dhe një barazim, pra katër pikë për kuqeblutë. Ndaj Kukësit, janë “ndarë” pikët me nga një fitore respektive në dy fazat e para. Me Laçin, këtë fundjavë është ndeshja për të bërë bilancin e dy fazave të para, pas humbjes së pësuar në transfertën kurbinase.
Përballë kampiones në fuqi, Vllaznia është gjithashtu e avantazhuar me katër pikë ndaj tyre falë fitores “in ekstremis” në Shkodër dhe barazimit 1-1 në kryeqytet. Në total, nga 27 pikë përballë rivaleve, ka marrë 15 prej tyre deri më tani.
Së pesti, në Shkodër, rreth ekipit ekziston një atmosferë pozitive, mbështetëse dhe inkurajuese për të vazhduar në këtë rrugë të nisur.
Së gjashti, Vllaznia aktualisht ka një staf që veç të tjerash edhe po amortizon presionin e shtuar për lojtarët, në lidhje me këtë objektiv. Së shtati, është menaxhuar më së miri edhe pjesa e mospagesave në datë korrekte për shkak edhe të burokracive shtetërore me buxhetin, duke u amortizuar me premio herë pas here si vlerësim për çfarë po bëhet. Thënë këto, Vllaznia nuk është më një surprizë, por pretendentja kryesore për titullin kampion…