U mendua se ndeshja e djeshme në Ulqin do të ishte e fundit për Vllazninë e basketbollit të meshkujve para sfidës së kupës me Teutën, por jo. Ditën e shtunë, ekipi kuqeblu do të luajë në “Qazim Dervishi” ndaj ekipit kryeqytetas “Invaders”.

Ndeshja do të nisë në orën 15.00 dhe kuptohet që do të jetë një tjetër test i mirë për kuqeblutë para nisjes së ndeshjeve zyrtare. Siç dihet, këtë sezon, pjesë e ekipit “Invaders” është edhe ish-kapiteni i Vllaznisë Ervin Berdica.

Ky ekip nuk merr pjesë në Superligë, por në kategorinë e parë ku është pretendenti kryesor për ngjitjen një kategori më lart. Ndërkohë javën e ardhshme, pikërisht më 24 janar në Durrës, Vllaznia do të luajë ndeshjen e kupës ndaj Teutës, skuadrës e cila po paraqitet në mënyrë të shkëlqyer edhe në Ligën Ballkanike ku kryeson renditjen.

Përballë saj padyshim që shkodranët do ta kenë të vështirë megjithatë do të tentojë, pavarësisht se objektivi i tyre është përqendruar tek kampionati ku do të synojnë deri në fund që të sigurojnë qëndrimin në Superligë.
© shkodrasport.com