Dy zyrtarizimet e sotme e kanë çuar fundit merkaton e Vllaznisë, por duket se ka ende vend edhe për një tjetër goditje. Ashtu siç deklaroi edhe drejtori Plori para ndeshjes me Kukësin, kuqeblutë prisnin edhe dy afrime të tjera deri në afatin përfundimtar të merkatos.
Njëri u bë sot teksa sulmuesi brazilian Bruno Gomes firmosi kontratë me klubin shkodran për një sezon, me të drejtë zgjatje edhe për një tjetër nëse gjërat shkojnë mirë.
Po kush do të jetë goditja e dytë? Emri që tashmë ka dalë në skenë është ai i lezhjanit Redon Danaj. Drejtori Plori e njeh mjaft mirë sepse e ka stërvitur vite më parë tek Besëlidhja, ndërkohë që lojtari është i pakënaqur me hapësirat që ka gjetur tek Dinamo dhe dëshiron të largohet prej saj.
Në këto rrethana, Vllaznia po kërkon të përfitojë dhe ta bëjë të vetin 22 vjeçarin që luan edhe në rolin e fantazistit. Burime të gazetës “Shkodra Sport” bëjnë të ditur se sot ose nesër do të ketë një bisedë me lojtarin dhe nuk përjashtohet mundësia që edhe Danaj të firmosë në Shkodër.
Nëse do të ndodhë kjo, sigurisht që do të ishte afrimi i fundit, megjithatë deri më 31 gusht kur dhe mbyllet merkatoja, gjithka mund të ndodhë./SHKODRA-SPORT.COM/