A është Vllaznia pretendente për titullin kampion? Në Shkodër duket si një pyetje e marrë, pasi të pretendosh për titull në Superligë nuk është një realitet, por një ëndërr sublime. Dhe në “pallatin e ëndërrave” të futbollit tonë, pra në godinën e FSHF-së, ka një klasifikim për gjithë ekipet që ëndërrojnë.. me leje dhe pa leje!

Për shembull: kur thuhet nga javë në javë se Erzeni debutues po lufton për Kupat e Europës, lajmi sikur po familjarizohet dhe krisma nuk ngjall kurrfarë buje.

Sapo thuhet se Vllaznia do të pretendojë titullin këtë sezon, duket sikur ëndërra ka kapërcyer orbitën e lejuar, madje ato zemërojnë edhe …çunat e sistemit. U dashka të mesohemi se këtë herë kampionen do ta gjejmë mes Partizanit dhe Tiranës.

E harruat Dinamon e shkretë? Pse rastësisht ndodhi gjëma me Dinamon. Sapo trajneri i saj Shkëmbi ia plasi pa marrë leje se “ Dinamo nuk është futur në Superligë për të shpëtuar lëkurën, por për të fituar titullin kampion”, filloi rakapuja.

Qysh nga ajo ditë, gjërat u përkeqësuan si me sahat, sa edhe vetë Dinamo e kuptoi se ku po shkonte, poshtë dhe jo lart . Kishte ngritur zërin pa lejen e “mësuesit” dhe do ta vuante denimin…(Marrë nga Sfidanti.al)