Vllaznia U21 në volejboll për meshkuj e ka nisur me fitore vitin 2022. Në ndeshjen e parë të këtij viti, atë ndaj Farka Volley të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, volejbollistët shkodranë kanë fituar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” me rezultatin 3-1.
Ndeshja është dominuar prej tyre dhe në fakt, trajneri Jukni ka patur mundësi të aktivizojë edhe disa nga lojtarët e stolit.
Ekipi I Farka Volley e ka fituar setin e parë me rezultatin 25-22 dhe kjo krijoi përshtypjen se do të ishte një fitore e lehtë për ta, por nuk do të ndodhte kështu.
Në setin e dytë, Vllaznia erdhi duke e rritur lojën e saj dhe arriti ta barazonte rezultatin, teksa në fund shkodranët do të fitonin 25-20 duke barazuar numrin e seteve në 1-1.
Në vazhdim, volejbollistët kuqeblu i fituan pa shumë vështirësi dy setet e tjera, 25-21 dhe 25-16, dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen me rezultatin 3-1.
Maringlen ZHIVANI