Skuadra e Vllaznia U-21 pritet të nisë nga puna për sezonin e ri ditën e nesërme. Një gjë e tillë është bërë e ditur përmes njoftimit që drejtuesit e klubit kanë bërë në faqen zyrtare, ku ndër të tjera thuhet se ditën e mëkurë, datë 13-korrik, ora 18:00 në fushën sportive “Reshit Rusi”, do të nisë përgatitjet për sezonin e ri futbollistik ekipi U-21.

Sezonin e kaluar, Vllaznia U-21 u drejtua nga trajneri anglez Dean Sibson, si edhe kolegu i tij Ergi Borshi, ku në përfundim trajneri anglez u largua, duke mbyllur kontratën që kishte me Vllazninë. Ndërkohë, për sezonin e ri futbollistik, siç është bërë e ditur zyrtarisht nga ana e klubit kuqeblu, në krye të skuadrës së 21-vjeçarëve është emëruar trajneri Elvis Plori, i cili përreth dy vite ishte në detyrën e zv/trajnerit të ekipit të parë dhe për pak muaj edhe si trajner i parë pas largimit të Brdariç.

Poashtu, burime të “Shkodra Sport” pranë klubit kuqeblu bëjnë të ditur se Vllazninë U-21, trajneri Plori do ta drejtojë duke pasur si ndihmës Ergi Borshin, i cili do të vijojë të jetë në këtë detyrë, ashtu si edhe sezonin e kaluar. Ndërkohë, krahas drejtimit të Vllaznisë U-21, për Plorin do të ketë edhe një detyrë tjetër të ngarkuar nga klubi kuqeblu, që do të jetë ajo e promovuesit të talenteve të Akademisë Vllaznia.

Për Plorin dhe kolegun e tij Borshi, dita e nesërme do të jetë dita e parë e punës në krye të 21-vjeçarëve kuqeblu, ku fillimisht mësohet se do të ketë disa seanca seleksionuese, të cilat janë parashikuar të jenë përreth dy javë dhe më pas me fiksimin e emrave që do të marrin besimin e stafit teknik, do të fillojë puna zyrtare me ekipin e ri të Vllaznisë U-21.

Një ekip ky, që siç është thënë edhe më herët, është furnizuesi kryesor i skuadrës së parë, pasi për hir të së vërtetës, një kontigjent i bollshëm i të rinjve që janë sot në ekipin e parë të skuadrës së parë të Vllaznisë, të drejtuar nga trajneri Mirel Josa, kanë luajtur më herët me Vllazninë U-21 dhe atë U-19.
Maringlen ZHIVANI