Vllaznia U-21 do të luajë ditën e sotme ndeshjen e rradhës në kampionat ndaj Teutës, duke nisur nga ora 13:00 në Durrës. Shkodranët do të ndeshen kundër ekipit durrsak, të cilët janë në vendin e fundit në renditjen e kësaj gare.
Në fakt, duke qenë se ndeshjet e kampionatit sa vijnë e vështirësohen, trajneri Elvis Plori e shikon ndeshjen e sotme si një mundësi të mirë për të marrë trepikëshin e rradhës. Një gjë e tillë mund të thuhet duke marrë në konsideratë që Teuta ndodhet në vendin e fundit në renditje dhe një trepikësh i shkodranëve do t’i poziciononte ata të dytët në tabelën e klasifikimit.
Kujtojmë këtu se, futbollistët kuqeblu vijnë në këtë sfidë pas fitores së fundit ndaj Dinamos në transfertë me rezultatin e ngushtë, 0-1. Nga ajo që është parë në seancat stërvitore, shkodranët do të zbresin në fushën e lojës ditën e sotme me synimin e vetëm për të marrë tre pikët.
Poashtu nga sa mësohet, trajneri Elvis Plori do t’i ketë të gatshëm të gjithë futbollistët titullarë për këtë ndeshje që konsiderohet relativisht e lehtë për ekipin e drejtuar prej tij. Gjithsesi, do të jetë fusha e lojës ajo që do të vendosë për rezultatin përfundimtar të kësaj përballje.
Ndeshja Teuta-Vllaznia për grupmoshën U-21 do të luhet ditën e sotme në Durrës, duke nisur nga ora 13:00.
Maringlen ZHIVANI