Vllaznia prej më shumë se 1 jave ndodhet në Malin e Zi për të zhvilluar një mini fazë përgatitore. Kjo pasi kampionati i futbollit do jetë pushim dhe ekipi ka nevojë të qëndrojë në tonus, për të qenë sa më të gatshëm për ndeshjen e Superkupës kundër Tiranës. Takim që do luhet pikërisht pas 1 jave në datën 7 dhjetor.

Patjetër Superkupa është një trofe që nuk ka edhe aq vlera të mëdha, por tek kuqeblutë duken të motivuar për një sukses të tillë. Sukses që mungon prej 21 vitesh në kampin shkodran, ku pikërisht e kanë fituar për herë të fundit këtë finale dhe për më tepër përballë Tiranës.

Në letër do jenë përballë dy ekipet më të mira në vend dhe dy mbajtëset në fuqi të trofeve në vendin tonë. Edhe tifozët shkodranë duken shumë të emocionuar para një ndeshjeje të tillë.

Ku edhe pse ndeshja do zhvillohet në Tiranë që duket disi e padrejtë, do jenë në mbështetje të ekipit pas një jave. Dueli që mbylli edhe aktivitetin para pushimeve ishte pikërisht ai kundër Tiranës në kryeqytet, ku ndeshja përfundoi 0-0.

Por loja që zhvilluan kuqeblutë në atë ndeshje la një shije të mirë. Dhe jo vetëm ndeshja kundër bardhebluve, por të gjitha ndeshjet e 3-4 javëve të fundit ishin pozitive për ekipin e Joses.

Dhurata më e bukur ndoshta për festat e fundvitit do ishte kjo për tifozët, por edhe për vetë futbollistët që do ishin akoma më të motivuar për ti bërë një mbyllje dinjitoze ndeshjeve të dhjetorit.
Endri ÇINARI