Vllaznia në volejboll për femra ka shënuar fitoren e dytë në këtë kampionat, ndërsa pasditen e së premtes në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër, në ndeshjen e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ka mundur Barletin Volej 3-1. Kthimi i organizatores Xhelilaj, por dhe përvoja e Prengës dhe Brahos, shto dhe lojën e Agollit e Shabakut e bëjnë skuadrën e Pogonit që të fluturojë në setin e parë: 1-5, 10-17 dhe në fund 15-25.

Shkundet Vllaznia, që kryeson fillimisht 4-0. Barleti Volej barazon në 4-4 në setin e dytë e më pas rikthehet avantazhi i shkodraneve në 12-9, 19-16, 24-21 dhe në fund 25-21. Luhet pikë më pikë në fillimin e setit të tretë, ndërsa shkëputja e Vllaznisë nis në 14-13, 20-17 dhe seti i tretë fitohet 25-20.

Edhe seti i katërt ka nisur mirë për shkodranet, që kanë kryesuar 6-2, 16-14. Barleti Volej, që ka në lojë dhe Stërmillën, e cila ka pasur dhe një dëmtim në sy, ka barazuar në 17-17, por dhe ka kaluar në avantazh 22-23. Disa barazime radhazi 24-24, 25-25, 26-26 dhe në fund 28-26 e 3-1 për Vllazninë.

Organizimi i Qershisë, por dhe loja e mirë e Petëzes, Preçetajt, Bardelit, Mollës, Zhivanit dhe lojtares së lirë Kiri shpërblejnë me fitore skuadrën e Mark Kroqit. Për t’u theksuar dy përsëritje të dhëna nga kryesori Kojku gjatë setit të katërt, që tregojnë pasiguri në vendim, apo dhe pretendimi i Barletit Volej në pikën e 28-të të Vllaznisë për prekjen e topit nga blloku shkodran. Por në fund, përtej gjithçkaje, ishte Vllaznia ajo që doli fituese me meritë.

VLLAZNIA – BARLETI VOLEJ 3-1

(15-25, 25-21, 25-20, 28-26)

VLLAZNIA: Petëza, A.Molla, Kiri (L), Qershia, Dodani, Preçetaj, Bardeli/Zhivani Trajner: M.Kroqi

BARLETI VOLEJ: Braho, Am.Prenga, Xhelilaj, Çaushaj, Agolli, Hasaj (L), Shabaku/Stërmilla, Martini Trajner: A.Pogoni

GJYQTARË: Ç.Kojku, E.Dusha (Tiranë)