Vllaznia gabon sërish, këtë herë ndaj Elbasanit, njërës prej skuadrave më të dobëta të këtij kampionati. Kuqeblutë ndoshta duhet të jenë të kënaqur me barazimin 1-1 që u arrit në fund të takimit sepse mund ta kishin pësuar edhe më keq. Sidomos pjesa e dytë la shumë për të dëshiruar dhe për këtë arsye, tifozët e pakët shkodranë që ishin në shkallët e stadiumit, nuk kanë munguar të kontestojnë lojën e futbollistëve të tyre por në veçanti edhe trajnerin Raineri. Me rezultatin e djeshëm jo vetëm që nuk kanë qetësuar njëherë e mirë veten, por kanë lënë në lojë edhe Elbasanin i cili vazhdon të shpresojë për mbijetesë.
Pjesa e parë
Ndeshja ka nisur me një ndryshim të detyruar në sulm për vendasit. Soza nuk është ndjerë mirë gjatë nxemjes dhe në vend të tij stafi teknik ka aktivizuar Hajdarin. Sa i takon lojës, Elbasani u pa qartë se ishte i vendosur mirë në fushë ndërsa Vllaznia edhe me mungesën e Sozës, do ta kishte të vështirë të rrezikonte në portën kundërshtare. Madje rastin më të pastër të kësaj pjese do ta kishte mbrojtësi Hila në ‘5 kur shumë pranë portës nuk arrin ta çojë topin në rrjetë. Reagon Vllaznia me anë të Gilman Likës por edhe ai nuk është i saktë në goditje. Me kalimin e minutave, loja e vendasve bie. Presioni i saj nuk është i madh dhe nga kjo përfiton Elbasani që jo vetëm mbrohet mirë por edhe sheh përpara. Kështu do vazhdonte loja deri në ’40 kur rezultati do të zhbllokohej. Pas një goditje dënimi, topi mbetet në zonën e miqve dhe fillimisht gjuan Krymi por topi pengohet nga mbrojtësit, kthehet tek Hajdari që gjuan fort dhe topi këtë herë përfundon në rrjetë. Me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë e ndeshjes.
Pjesa e dytë
Nis disi më mirë sërish për vendasit që duket se do shënojnë shpejt edhe golin e dytë por nuk do të ndodhte kështu. Në minutën e 55-të, Yontcha shfaqet i lirë brenda zonës por vonon disi në goditje dhe ndërhyn Hakaj duke ia hequr topin nga këmbët. Por ky futbollist gjashtë minuta më vonë nuk do të gabonte. Ai këtë herë do ta godiste saktë një top të mbetur në zonë duke e dërguar atë në rrjetë. Në stadium ka pakënaqësi në këto momente dhe nuk mungojnë as thirrjet kundër trajnerit Raineri. Në fakt pritej një reagim i vendasve në kërkim të avantazhit por mungon befasia në goditje drejt portës së Ruçit. Për këtë arsye, në fushë do jetë sulmuesi Guri në vend të Shtubiëns. Kjo në fakt nuk rregulloi asgjë madje mund të kishin qenë elbasanasit ata që mund të kishin shënuar edhe ndonjë gol tjetër nëse sulmuesit e kësaj skuadre do të tregoheshin më të vëmendshëm. Minutat e fundit nuk dhurojnë asgjë dhe në fund siglohet rezultati i barabartë 1-1.