Vllaznia luan sot në orën 18:00 në sta diumin “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit një ndeshje miqësore kundër Dinamos, që këtë sezon është pjesë e Kategorisë së Parë. Duke qenë se starti i kampionatit po afron (më 20 gusht Vllaznia e nis me Erzenin në transfertë), trajneri Mirel Josa e shikon ndeshjen e sotme si një provë gjenerale.

Përveç ndeshjes me blutë e kryeqytetit, shkodranët kanë parashikuar në fundjavë edhe një tjetër test ndaj Skënderbeut, që gjithashtu është në të Parën. I rëndësishëm për trajnerin Josa është fakti që skuadra ka marrë ngarkesën e duhur dhe nuk ka asnjë lojtar me probleme fizike. Lajm i mirë është se edhe sulmuesi i krahut, Liridon Latifi, është rritur nga ana fizike dhe pritet që të rikthehet titullar. Ai nuk i nisi nga minuta e parë ndeshjet në Ligën e Konferencës ndaj Universitatea Kraiovës, duke qenë se humbi thuajse gjysmën e fazës përgatitore për shkak të problemeve shëndetësore që pati.

Nga ana tjetër, edhe fantazisti nga Tuzi, Kristjan Vulaj, që gjithashtu nuk ishte pjesë e formacionit në Europë, ka kapur tashmë formën më të mirë. Dy miqësoret që janë në plan do t’u shërbejnë shumë të dy lojtarëve, të cilët pritet të kenë më tepër hapësirë. Kësisoj, trajneri Josa do të shikojë në kushte loje dhe deri në çfarë pike kanë arritur Latifi dhe Vulaj për të qenë titullarë edhe në ndeshjen e parë të kampionatit.

SITUATA – Porta dhe mbrojtja nuk duket se kanë shumë për të vënë nën “presion” trajnerin, edhe pse në Europë një prej afrimeve, Dajan Shehi, nuk mori minuta. Me Zogoviçin e sigurt në portë, Gurishta dhe Hakaj janë gjithashtu zotër të krahëve të mbrojtjes. Në qendër gjasat janë që sot të luajë titullarë Shehi dhe një mes kroatit Juriç dhe malazezit Bulatoviç ta nisë nga stoli. Josa preferon skemën 4-3-3 dhe në mesfushë lufta për një vend është më e madhe se në çdo repart. Titullarë fiks për momentin shihen Boshnjaku dhe Jonuzi, ndërsa për lojtarin e tretë në këtë repart ka rivalitet mes Heriçit dhe Markut.

Gjithashtu Josa po shikon me përparësi edhe të riun Alivoda, i cili ka bindur trajnerin dhe mund të jetë ai befasia e këtij sezoni. Ndërkohë, nëse skema ndryshon dhe Vllaznia luan me një numër 10 tipik, e sigurt është që një vend në formacion do të ketë për Vulajn. Nga ana tjetër, edhe sulmi ka jo pak konkurrencë. Nga krahët luftojnë për dy vende katër lojtarë: Kruja, Hoxhaj, Latifi dhe Çoba. Ndërsa në qendër të ofensivës do të ketë një duel mes Aralicës dhe Kainës, por në miqësoren e sotme si titullar do të nisë sulmuesi brazilian./panorama-sport.com/