Gjatë muajit të fundit ka patur jo pak diskutime në lidhje me çështjen e shiritit të kapitenit tek ekipi i Vllaznisë. Largimi i Ndriçim Shtubinës, lojtarit që e kishte mbajtur atë në dy vitet e fundit, krijoi njëfarë amullie aq sa në media përmendeshin herëpashere emra të ndryshëm si kandidatë për të mbajtur shiritin tek Vllaznia e këtu bëhej fjalë për Tafilin, Markun, Bardullën, Likën e ndonjë tjetër. Për stafin teknik në fakt nuk ka patur shumë dilema në lidhje me këtë çështje, pavarësisht se edhe emrat që iu shtuan skuadrës mund t’i kenë vënë në mëdyshje.
Megjithatë tashmë është fakt i kryer: Kapiten i Vllaznisë do të jetë Gilman Lika. Ai ka mbajtur shiritin në miqësoret e fundit para fillimit të kampionatit por edhe në ndeshjen e djeshme ndaj Lushnjës, që ishte e para zyrtare për sezonin e ri futbollistik. Një vendim i tillë duket se është marrë nisur nga mosha, eksperienca, karriera por edhe karakteri i lojtarit. Një ‘gradim” i tillë duket se e ka motivuar edhe më shumë këtë futbollist që po shfaq një rini të dytë dhe jo më kot, në ndeshjen e djeshme u vlerësuar si më i miri.
© shkodrasport.com