Loja e mirë e ekipit të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë sonte, nuk i ka mjaftuar për të dalë i fituar në përballjen me Partizanin që është zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Për të përcaktuar fituesin e kësaj ndeshje është dashur të luhet seti final dhe në fund kanë triumfuar të kuqtë me shifrat 3-2.

Kanë qenë miqtë ata të cilët fituan setin e parë me rezultatin 25-22, por Vllaznia reagon në të dytin duke tentuar me çdo kusht fitoren dhe ia del duke regjistruar shifrat 26-24 në favorin e saj dhe duke barazuar gjithçka sa i takon seteve.

Historia përsëritet dhe seti i tretë fitohet lehtësisht nga Partizani 25-15, por janë shkodranët që nuk heqin dorë kollaj nga synimet e tyre për ta fituar ndeshjen dhe e fitojnë të katërtin 25-21 duke barazuar gjithçka dhe si rrjedhojë ndeshja do të shkonte në set final.

Ai do të ishte shumë i rivalizuar, por në fund është ekip nga kryeqyteti i drejtuar nga trajneri Ylli Tomori që fiton me shifrat 15-13 dhe kësisoj krejt ndeshjen me rezultatin 3-2.(www.shkodrasport.com)