Tonin Dema është nderuar nga Bashkia Shkodër me titullin “Mirënjohja e Qytetit” për kontributin e tij të madh në vite për sportin e mundjes. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak Shkodër ndërkohë që mesditën e sotme është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të këtij titulli. Në një nga ambjentet pranë stadiumit “Loro Boriçi” janë mbledhur shumë figura të mundjes shkodrane por nuk kanë munguar edhe ato të ardhur nga Tirana për të nderuar mjeshtrin Dema.


Në emër të Këshillit Bashkiak, ka qenë anëtari i tij Nikë Kodra ai që i ka dorëzuar titullin kampionit të mundjes. Motivacioni ka qenë i qartë: Kontributi i tij i madh në sportin e mundjes për vite me rradhë, fillimisht si sportist e më pas si trajner. Vetë mjeshtri Dema është parë tejet i emocionuar pas marrjes së këtij titulli teksa në fjalën e tij ka falenderuar të gjithë ata njerëz që e kanë vlerësuar për atë çfarë ai ka dhënë për sportin e mundjes. “Janë momente vërtetë të paharrueshme për mua teksa nderohem duke patur pranë shokët dhe miqtë e mi më të mirë. Duke patur pranë trajnerët e mi, kolegët sportistë por edhe sportistët që kam nxjerrë unë. Dua të falenderoj edhe Bashkinë Shkodër për vlerësimin që më ka bërë po ashtu edhe tifozët e zjarrtë shkodranë që i kam patur gjithnjë pranë gjatë viteve që unë jam marrë me sport. Të gjithë të pranishmit nuk kanë ngurruar të vlerësojnë figurën e këtij mjeshtri. 5 titujt kampion si individ dhe 14 trofetë e fituara si pjestar i Vllaznisë, e kanë bërë atë të jetë një figurë e nderuar jo vetëm në Shkodër por në gjithë Shqipërinë. Përveçse se me mundje, Dema njihet edhe për kontributin e tij në sportin e boksit teksa ka qenë ndër të parët trajnerë që ka kontribuar për hapjen e boksit në Shkodër. Për disa vite ai ka punuar pranë ekipit të Vllaznisë duke nxjerrë ndër të tjerë nga duart e tij edhe emra si Jetmir Kuçi, Sead Bushati etj.
www.shkodrasport.com