Mund të duket e çuditshme por në futbollin shqiptar ndodh edhe kështu. Trajneri shkodran Armando Cungu që këtë sezon është vënë në drejtim të skuadrës së Kukësit, ka marrë një ultimatum nga drejtuesit e klubit. Bëhet fjalë për të fituar ndeshjen e rradhës në Fier ndaj Apolonisë vendase ose në rast të kundërt do largohet nga kjo detyrë. Lajmi bëhet I ditur nga burime pranë klubit kukësian. Presidenti Safet Gjici nuk e ka kapërdirë mirë faktin që në dy ndeshjet e para të zhvilluara në fushën e vet, Kukësi nuk ka arritur të fitojë. Ai ka barazuar me të njëjtin rezultat 0-0, fillimisht me Luftëtarin dhe më pas me Vllazninë.

Nëse ka ndodhur kështu, kjo ka ardhur ngaqë kësaj skuadre I mungojnë sulmuesit e golit dhe pavarësisht se i ka dominuar të dyja ndeshjet, goli nuk ka dalë në dritë. Presidenti nuk don t’ia dijë për këtë gjë. Në fakt Cungu dhe stafi I tij Rakiqi e Dani, nuk kanë gisht në merkaton e zhvilluar ngaqë me të janë marrë direkt presidenti Gjici dhe drejtori teknik Sulejman Starova. Ata kanë sjellë në skuadër edhe futbollistë përkundër dëshirës së trajnerëve dhe në kushte të tilla situata nuk duket shumë normale tek kjo skuadër. T’I vësh ultimatum një trajneri si Cungu se nëse nuk fiton në Fier do largohesh, është absurd. Në fund të fundit, Kukësi nuk është as Tirana, as Partizani dhe as Vllaznia që janë mësuar me trofe dhe një nisje e tillë mund t’I prishë punë pretendimeve të tyre për të dalë kampion. Nëse Kukësi ka si objektiv zënien e një vend në gjashtë ekipet më të mira të kampionatit, ai edhe mund të arrihet. Tashmë është vetëm fillimi dhe gjërat nuk duken keq. Pastaj të largohet një trajner vetëm nëse humb një ndeshje, kjo nuk është normale. Megjithatë tek Kukësi diçka “zien”. Dikush thotë se pas këtij presioni është dëshira e drejtorit teknik Starova për të larguar Cungun nga pankina e kësaj skuadre dhe për të sjellë në vend të tij një mikun e vet. Ndoshta është edhe kështu por nëse është e vërtetë, është absurd!
www.shkodrasport.com