Ka ardhur gjatë merkatos së verës dhe është pritur të jetë një nga lojtarët kryesorë të Vllaznisë megjithatë mesfushori malazez Ivan Deliç ende nuk ka dhënë atë që pritet prej tij. Ai e ka pranuar edhe vetë këtë gjë megjithatë ka premtuar se bashkë me rritjen e formës së tij, edhe skuadra do të dalë në rezultatet e duhura. Këto ai I ka thënë në konferencën e sotme për shtyp teksa ka deklaruar: “Të gjithë ne kemi shprehur dëshirën të japim maksimumin tonë për Vllazninë, por disa gjëra nuk kanë ecur ashtu siç kemi menduar ne. Ashtu është futbolli por në vijëmësi do ta tregojmë veten, do ecim më mirë. Do ta përmirësojmë lojën dhe do të vijnë të gjithë ato rezultate që shkodranet presin nga ne”. Ndërkohë I pyetur në lidhje me dy ndeshjet e ardhshme të Vllaznisë, ato që do zhvillojë në Shkodër ndaj Luftëtarit dhe Apolonisë, Deliç është shprehur I bindur se kuqeblutë do marrin gjashtë pikë në këto ndeshje. “Natyrisht është e domosdoshme që dy ndeshjet që kemi në Shkodër t’i shfrytëzojmë e t’i marrim maksimumin 6 pikët”- është shprehur malazezi. Deliç ka folur me optimizëm para gazetarëve megjithatë të gjithë presin që ai ta thotë fjalën e tij në fushën e lojës. Blerja e tij është konsideruar më e mira për kuqeblutë gjatë merkatos së verës nisur edhe nga vlerat që ai posedon prandaj dhe të gjithë presin që ai të marrë përsipër gjithçka sa I takon organizimit të lojës së Vllaznisë, gjë që deri tani ka çaluar jo pak.
www.shkodrasport.com